Pas vlerësimit të kujdesshëm të një numri të konsiderueshëm aplikimesh, juria profesionale ka përzgjedhur pesë projektet më të mira në konkursin ndërkombëtar për sheshin monumental në nderim të sakrificës së familjes Jashari dhe komandantit Adem Jashari, të cilat e kanë kaluar fazën e parë dhe prej të cilave do të përzgjidhen fituesit.
Juria e përbërë nga kryetari i komunës Përparim Rama, arkitekti Gëzim Kastrati dhe Hajrullah Lushtaku, përfaqësues i familjes Jashari, ka përzgjedhur pesë projektet e dorëzuara sipas kodeve të mëposhtme si më të mirat nga dhjetëra projekte të dorëzuara nga aplikantët.
Projektet e përzgjedhura, sipas e-mail adresave nga të cilat kanë arritur, të cilat njëherësh paraqesin edhe kodin e aplikimit, janë:
- skph1913@gmail.com
- 07g655@gmail.com
- kxf134@gmail.com
- jug5d4@gmail.com
- 8413jg@gmail.com
Të gjitha këto projektet të cilat janë kualifikuar për në fazën e dytë do të prezantohen para anëtarëve të jurisë, gjatë javës së parë të muajit korrik, që do të jetë edhe hapi i fundit para përzgjedhjes përfundimtare të projekteve fituese, të cilat do të shpallen në një afat të shpejtë kohor.
Konkursi ka qenë i hapur për të gjithë artistët, piktorët, arkitektët, dizajnerët grafik, fotografët, artizanët, studentët dhe profesionistët. Në thirrjen për aplikim është sqaruar se qëllimi është që sheshi ta ketë pjesë thelbësore monumentin e qëndresës, guximit dhe lavdisë së Adem Jasharit dhe familjes Jashari, si një prej themeleve të rëndësishme të lirisë së vendit.
Monumenti synon të nderojë përkushtimin, guximin dhe sakrificën e palëkundur të Adem Jasharit dhe familjes së tij gjatë luftës së Kosovës për pavarësi dhe të shërbejë si një kujtesë e fuqishme për rolin e tyre kryesor në lëvizjen çlirimtare dhe përkushtimin e tyre ndaj kauzës kombëtare.