Bulevardet dhe sheshet e reja në njërën anë dhe riorganizimi i trafikut në anën tjetër e bëjnë të domosdoshëm eliminimin e pikave të konfliktit midis këmbësorëve dhe makinave. Për këtë arsye, po ndërtojmë nënkalime për makina dhe mbikalime për këmbësorë.
Mbikalimet që lidhin mbi 50 mijë banorë të kryeqytetit në këmbë janë po ashtu në plan. Njëri prej tyre, që nis në lagjen Arbëria dhe përfundon tek Pallati i Rinisë, është më shumë se një mbikalim – është një platformë shumëfunksionale ku ndërthuren shtigjet për këmbësorë, ato për biçikleta, parqet dhe hapësirat e gjelbra. Përfundi të tij kemi krijuar disa mijëra metra katror hapësira afariste, për ta bërë të vetqëndrueshëm, dhe së shpejti do të dalë në tender publik.
Përmes pasarelës që e lidh Pallatin e Rinisë me Hotelin Grand, një projekt i vjetër që po bëhemi gati ta realizojmë, krijohet një tjetër lidhje me Bulevardin Qendror. Ky projekt jo vetëm që do të lehtësojë qarkullimin e këmbësorëve por do të kontribuojë edhe në zhvillimin urban të zonës, duke e bërë më të lehtë dhe më të sigurt kalimin e banorëve nëpër qytet.
Ngjashëm, edhe mbikalimi në Aktash do të shërbejë si një platformë shumëfunksionale. Ky mbikalim do të ofrojë një park për banorët e asaj zone dhe një amfiteatër të hapur për studentët e fakulteteve aty pranë. Gjithashtu, ai do të krijojë një lidhje të rëndësishme për mbi 25 mijë banorë të lagjes me qendrën e qytetit, duke përmirësuar ndjeshëm infrastrukturën e zonës.
Këto projekte janë urat drejt të ardhmes. Drejt Prishtinës së së ardhmes. Ato janë pjesë e një plani të gjerë për ta transformuar kryeqytetin në një qytet modern, funksional dhe të qëndrueshëm. Investimet në këto mbikalime dhe nënkalime nuk janë vetëm për të zgjidhur problemet e trafikut të tanishëm, por për të ndërtuar një infrastrukturë që do të përballojë nevojat e një qyteti në rritje për shumë vite që do të vijnë.