Për ta përmirësuar situatën e trafikut të ngarkuar në kryeqytet, krahas intervenimeve të shumta në rrugë të ndryshme, një nyjë problematike që kërkon trajtim të menjëhershëm është edhe Udhëkryqi mbi “Gorenje”, aty ku ndërlidhet rruga “Nekibe Kelmendi” drejt Prishtinës së re, Veterniku në pjesën tjetër, si dhe daljet për në Hajvali e Gjilan.
Ngarkesa e trafikut në këtë pikë, kolonat e gjata drejt hyrjes për në Prishtinë, janë problem për automjetet, trafikun urban dhe këmbësorët. Pas matjeve dhe analizave të shumta në terren, ekipi ynë i ekspertëve dhe inxhinierëve të trafikut, ka ofruar zgjidhjen teknike optimale.
Ky propozim parasheh ndërtimin e një udhëkryqi të ri, që ndër të tjera, i eliminon fytet e ngushta, dhe krijon lidhje të lehta me rrugët anësore në të gjitha drejtimet. Duke shfrytëzuar software-in për simulim, zgjidhja u testua dhe funksionon edhe nëse trafiku në këtë pikë rritet për 30%, për 60% ose madje 100%.
Për më tepër, projekti përfshin ndërtimin e korsive të veçanta për lëvizjen e automjeteve, duke krijuar një rrjedhë të pandërprerë dhe më efikase të trafikut. Ky riorganizim do të eliminojë pikat e ngushta dhe do të përmirësojë dukshëm rrjedhën e trafikut, duke zvogëluar kohën e pritjes dhe duke lehtësuar lëvizjen në këtë nyjë të rëndësishme të kryeqytetit.
Gjithashtu, duke pasur parasysh sigurinë e këmbësorëve dhe efikasitetin e transportit publik, projekti do të përfshijë edhe korsitë e dedikuara për këto kategori. Kjo do të krijojë një mjedis më të sigurt dhe të organizuar për të gjithë përdoruesit e rrugës.
Kjo zgjidhje është ideale për këtë pikë për 20 ose 30 vitet e ardhshme, dhe trajtimi i çdo pike problematike të trafikut është prioritet për ta transformuar Prishtinën në kryeqytet të së ardhmes. Investimi në infrastrukturën moderne dhe të qëndrueshme është thelbësor për zhvillimin afatgjatë të qytetit dhe përmirësimin e cilësisë së jetës për të gjithë banorët.