Projektet e parakualifikuara në konkursin ndërkombëtar për sheshin monumental në nderim të sakrificës së Adem Jasharit dhe familjes Jashari do të nxirren para publikut në trajtën e një ekspozite e cila do të hapet të markurën e datës katër të shtatorit.
Pesë projektet, të cilat pas vlerësimit të kujdesshëm të një numri të konsiderueshëm aplikimesh, juria profesionale i kishte përzgjedhur si më të mirat, do të shfaqen për një javë rresht në objektet e Komunës së Prishtinës.
Konkursi ka qenë i hapur për të gjithë artistët, piktorët, arkitektët, dizajnerët grafik, fotografët, artizanët, studentët dhe profesionistët. Në thirrjen për aplikim është sqaruar se qëllimi është që sheshi ta ketë pjesë thelbësore monumentin e qëndresës, guximit dhe lavdisë së Adem Jasharit dhe familjes Jashari, si një prej themeleve të rëndësishme të lirisë së vendit.
Monumenti synon të nderojë përkushtimin, guximin dhe sakrificën e palëkundur të Adem Jasharit dhe familjes së tij gjatë luftës së Kosovës për pavarësi dhe të shërbejë si një kujtesë e fuqishme për rolin e tyre kryesor në lëvizjen çlirimtare dhe përkushtimin e tyre ndaj kauzës kombëtare.
Hapja e ekspozitës, në të cilën projektet të cilat kanë kaluar në fazat përfundimtare të vlerësimit nga juria, do të bëhet në ora 16:00. Ekspozita do të mbetet e hapur deri më datë 11 të muajit shtator.