Dhjetëra mijëra qytetarë dhe po aq makina lëvizin përditë rrugëve të kryeqytetit. Nga njëri kah, në tjetrin. Dhe prej njërës, tek lagja tjetër. Gjallëria është tipike për qytetet përditë në rritje. Krejt ky ndryshim krijon nevoja, madje sfida të reja. Me kohë, kapërcimi i tyre kthehet në domosdoshmëri. Lëvizja në sheshe. Lehtësimi i trafikut. Lidhja e Prishtinës. Pashmangshmëri të qytetit modern.
Një pjesë të udhës në këtë drejtim do të bëhet përmes mbikalimeve. Tre të tilla: në Aktash, midis Pallatit të Rinisë dhe Hotelit Grand dhe në Arbëri, do të bëjnë të mundur që çdo qytetar të dalë në bulevardin qendror në këmbë, pa asnjë pikë takimi me makinat. Më i madhi prej tyre do ta lidhë Arbërinë me Pallatin e Rinisë.
Projekti është rrjedhojë e analizave shteruese për fizibilitet, funksionalitet, strukturë të popullsisë, lëvizje e qasshmëri, vetqëndrueshmëri, dhe dhjetëra parametra të tjerë. Do të ndërtohet midis pjesës së vjetër dhe asaj të re të lagjes, pikërisht aty ku ishte paraparë me projektin e Pallatit të Rinisë, para pothuaj pesë dekadash.
Dhe do ta lehtësojë përditshmërinë e mbi 50 mijë prishtinasve, të cilëve u mundësohet kalimi i sigurt në këmbë, deri tek Pallati i Rinisë dhe tutje në bulevardin qendror. Në pikat kyçe do të ketë ashensorë, në mënyrë që personat me nevoja të veçanta, probleme shëndetësore dhe çdonjëri tjetër me pamundësi për të përdorur shkallët, ta ketë të lehtë qasjen në të.
Si i tillë, përtej të qenit thjesht një mbikalim, është një ishull urban shumëfunksional, me rëndësi që kalon ndërlidhjen e dy pikave të qytetit. Konfigurimi i terrenit në lagjen Arbëria, me pjerrësi të lartë, e bën të vështirë pasjen e hapësirave të bollshme publike për banorët.
Hapësirat e gjelbra, mini-parqet me lojëra për fëmijë, shtigjet e vrapimit dhe shtigjet për biçikleta, do t’i japin frymë dhe do të krijojnë dimensione të reja për gjithë lagjen, teksa nën to do të vazhdojë qarkullimi i papenguar i makinave. Për ta bërë të vetëqëndrueshëm kemi projektuar mbi 2 mijë metra katror lokale, në katin përdhesë, të cilat mund të përdoren për qëllime komerciale.
Krejt këto, në një ishull urban shumë modern. Një mbikalim, që përveç një lagjeje me pjesën tjetër të qytetit, e lidh qytetin me të ardhmen. Për Prishtinën e së ardhmes.