Arkitekti Gëzim Kastrati do të jetë anëtar i jurisë profesionale në dy konkurset ndërkombëtare të shpallura nga Shërbimi i Arkitektit të Kryeqytetit, për koncept-dizajn të çerdhe-kopshteve në lagjen Mati 1 dhe Kolovicë.
Pas Ardit Jedrashit që, si përfaqësues i Asociacionit të Arkitektëve të Kosovës qe përzgjedhur si anëtar i parë i jurisë, arkitekti Kastrati do ta përfaqësojë Komunën e Prishtinës në treshen përzgjedhëse, të cilës shumë shpejt pritet t’i shtohet edhe një tjetër anëtar i pavarur.
Kastrati është një nga profesionistët e mëdhenj të fushës, me përvojë të gjatë dhe një numër të konsiderueshëm të projekteve të tipologjive të ndryshme, brenda dhe jashtë vendit. Projektet e tij përfshijnë ndërtesa administrative dhe të tjera publike, të rëndësisë së veçantë, qendra të mëdha prodhimi dhe afariste, si ngrehina e hapësira biznesore.
Arkitekti Kastrati ka një numër jo të vogël projektesh të realizuara për apo në bashkëpunim me kompani të shtrira në shumë vende, përfshirë edhe komplekse të mëdha rezidenciale, në disa shtete të rajonit.
Konkurset, për të cilat Kastrati do të jetë pjesë e jurisë, janë në formën e një gare dizajni, me një fazë, si forma më tipike e konkurseve për dizajne arkitekturore, që shpallen për qëllime të caktuara dhe që janë të hapura për të gjithë të interesuarit.
Rrjedhimisht, aplikimi do të jetë i hapur për të gjithë dhe çdo kandidat do të ketë të dorëzojë numër të pakufizuar dizajnesh. Çdo krijim i tij duhet të jetë origjinal dhe veçanërisht i konceptuar për këtë konkurs.
Regjistrimi për t’u bërë pjesë e konkursit do të jetë i hapur nga data e shpalljes deri më datë 17 janar 2024. Dorëzimi i aplikimeve do të pasohet nga vlerësimi i jurisë, prezantimi i punëve, pra i koncept-dizajneve dhe më 31 mars do të bëhet shpallja e rezultateve, gjegjësisht fituesve të këtyre konkurseve.