Shërbimet digjitale në kryeqytet do të ngriten në një nivel shumë më të lartë brenda një kohe shumë të shkurtër. Këtë premtim e ka dhënë kryetari Përparim Rama, gjatë prezantimit të projektit “e-Leja”.
Sipas tij, kryeqyteti planifikon që nga data 1 janar e vitit të ardhshëm, të lansojë platformën digjitale e-Leja e cila mundëson që i gjithë procesi i pajisjes me kushte dhe leje ndërtimore të kryhet në mënyrë elektronike.
Në këtë mënyrë, eliminohen vonesat për shkak të mbingarkesës së stafit administrativ, eliminohet çdo mundësi ndërhyrjeje në proces, garantohet barazia e palëve dhe transparenca e procesit dhe bëhet e mundshme përcjellja e tij në çdo hap, me të gjithë dokumentacionin e nevojshëm.
“Kjo do të ndikojë që procesi të jetë plotësisht transparent, i qasshëm për të gjithë sepse tani qytetarët mund të aplikojnë për leje ndërtimi nga shtëpia pa pasur nevojë që të jenë prezent fizikisht në sportelet e Kryeqytetit”, ka nënvizuar Rama.
Platforma e-Leja, përveç komponentës së aplikimit, me dy modulet tjera, e-Përcjellja dhe e-Nënshkrimi, bën të mundur që i tërë procesi nga fillimi deri në mbarim të mund të kryhet në formë digjitale dhe po ashtu u krijon mundësi aplikantëve që nënshkrimin e krijuar digjital ta kenë të përdorshëm në vijimësi.
Përveç çështjeve që lidhen me mbarëvajtjen e procesit, Rama ka vënë theksin edhe tek një dimension tjetër, ai i ruajtjes së ambientit, meqë, sipas tij, e-Leja do të largojë në tërësi përdorimin e letrave dhe do të kontribuojë direkt për një ambient më të pastër për gjithë vendin.
Platforma e-Leja është pjesë e një ndërmarrjeje më të gjerë për digjitalizimin e shërbimeve që lidhen me këtë sferë punësh, si pjesë e projektit të Shërbimit të Arkitektit të Kryeqytetit.