Pas mbylljes së fazës të aplikimeve në mesin e muajit prill, ka hyrë në njëzet ditëshin e fundit periudha e dorëzimit të projekteve, nga ata që kanë plotësuar parakushtet, në konkursin ndërkombëtar për sheshin monumental në nderim të sakrificës së Adem Jasharit dhe familjes Jashari.
Konkursi ka qenë i hapur për të gjithë artistët, piktorët, arkitektët, dizajnerët grafik, fotografët, artizanët, studentët dhe profesionistët.
Në thirrjen për aplikim është sqaruar se qëllimi është që sheshi ta ketë pjesë thelbësore monumentin e qëndresës, guximit dhe lavdisë së Adem Jasharit dhe familjes Jashari, si një prej themeleve të rëndësishme të lirisë së vendit.
Pra, monumenti synon të nderojë përkushtimin, guximin dhe sakrificën e palëkundur të Adem Jasharit dhe familjes së tij gjatë luftës së Kosovës për pavarësi dhe të shërbejë si një kujtesë e fuqishme për rolin e tyre kryesor në lëvizjen çlirimtare dhe përkushtimin e tyre ndaj kauzës.
Përzgjedhja preliminare e më të mirëve do të kryhet deri më datë 14 qershor, ndërkaq shpallja e fituesve të konkursit për sheshin monumental do të bëhet më 29 qershor.