Përzgjidhen tre projektet më të mira për çerdhe-kopshtin në Kolovicë

Data e publikimit

Kategoria

Projekti fitues në konkursin ndërkombëtar për koncept-dizajn të çerdhe-kopshtit në Lagjen Kolovicë, një bashkëkrijimi i arkitektëve Serhat Sen, Kemal Tas, Dilara Akdemir, Alican Tufenkoglu dhe Ramiz Laçi, sipas tyre, sjell frymë të re në mënyrën si mendohen dhe realizohen çerdhe-kopshtet.

Pas një procesi të kujdesshëm dhe të detajuar vlerësimi, juria e Shërbimit të Arkitektit të Kryeqytetit, e përbërë nga personalitete të shquara nga fusha e arkitekturës dhe akademisë, ka arritur t’i përzgjedhë tre projektet më të mira në konkursin ndërkombëtar për koncept-dizajn të çerdhe-kopshtit në lagjen Kolovicë.

Përfaqësuesi i Asociacionit të Arkitektëve të Kosovës, arkitekti Ardit Jadrashi, përfaqësuesi i Komunës së Prishtinës, arkitekti Gëzim Kastrati, dhe akademik Anton Berishaj, kanë shqyrtuar me kujdes të gjitha aplikimet, duke vlerësuar kreativitetin, funksionalitetin dhe përshtatjen e tyre me kontekstin mjedisor dhe social të zonës. Kriteret e vlerësimit kanë përfshirë integrimin kontekstual, aspektin funksional, inovacionin, origjinalitetin si dhe aspektet estetike.

Si rrjedhojë e një analize të thellë dhe pas diskutimeve shteruese, juria ka arritur në vendimin për të zgjedhur tre projektet më të mira, që shquhen për qasjen e tyre të veçantë ndaj arkitekturës dhe dizajnit të hapësirave edukative për fëmijë.

“Ngrehina është vendosur në një nga kodrinat e parcelës është dizajnuar mbi idenë e dizajnit që sheh nga brenda. Përmes krijimit të një shiriti të gjelbër në fasadë, ne kemi pasur për qëllim ta shfyrtëzojmë dheun i cili do të zhvendoset për ndërtim. Hapësirat funksionale përfshijnë zyrat, depotë dhe dhomat teknike, të vendosura në të dy anët e hyrjes. Në holl, ana e majtë të çon tek ndarjet e kujdesit ditor, të lidhura me një atrium dhe një kopsht të jashtëm, të cilin e kemi quajtur “Kopshti i qetë”. Ngjitur, në anën e djathtë të hollit është korridori i lojërave, që të çon tek kopshti. Kjo hapësirë ka disa oborre të brendshme, njëri prej të cilëve është më i madh se të tjerët, brenda të cilit është një amfiteatër i cili është i ndërlidhur me me çatinë. Po ashtu, një hapësirë tjetër e përbashkët, e ndërlidhur me ato të kopshtit, e cila zgjerohet në një oborr të brendshëm. Hapësira mund të përdoret në skenarë të ndryshëm edhe si çerdhe, por edhe si hapësirë publike. Në rrafshin e qëndrueshmërisë, çatia e ndërtesës mund të konsiderohet si e gjelbër dhe si e tillë lejon mbledhjen e ujit të shiut dhe po ashtu ka hapësirë dhe atributë për efiçencë të energjisë”.

Projekti i përzgjedhur si i dyti më i mirë në konkursin ndërkombëtar për koncept-dizajn të çerdhe-kopshtit në Lagjen Kolovicë, krijuar nga arkitektët nga Korea Jugore, Yejun Lee, Seohyun Lee dhe Chanwon Lee, të cilët shpjegojnë se bazuar në teorinë e edukimit Montessori kanë konceptuar një hapësirë fluide, e cila i përgjigjet nevojave zhvillimore të fëmijëve.

“Kopshti ynë, përveç të qenit hapësirë në të cilën fëmijët mund të jenë të lirshëm dhe të bashkëveprojnë aktivisht, u ofron atyre rehatinë e të qenit fëmijë. Në hapësirat që kemi dizajnuar ata mund të lëvizin lirshëm përgjatë rrugëve dhe hapësirave ndërlidhëse dhe po ashtu mund t’i lëvizin e t’i vendosin ku të duan mobiliet. Duke ndërtuar mbi teorinë e edukimit Montessori, ne kemi krijuar një trajtë fluide të kopshtit, për dallim nga ato statike, siç zakonisht janë çerdhet dhe kopshtet. Si e tillë ajo i nxit fëmijët të bëhen individë të veçantë dhe u mundëson ta rriten duke zgjeruar potencialet e tyre. Ndarja është bërë në tre nivele, duke vendosur programe në të njëtin nivel, ashtu që të rrite tefikasiteti. Ndërlidhjet janë bërë me rampa, ashtu që të mos ketë pengesa fizike dhe që mund të përdoren lehtë në raste të padëshirueshme emergjencash. Format kuboide janë të ndërlidhura mes vete përmes mbivendosjes, gjë që e bën përvojë më vete kalimin nga njëri nivel në tjetrin”.

Projekti i përzgjedhur si i treti më i mirë në konkursin ndërkombëtar për koncept-dizajn të çerdhe-kopshtit në Lagjen Kolovicë është po ashtu një bashkëpunim rajonal. Në shpjegimin e tyre lidhur me projektin, arkitektët Elja Putes, Jasmin Oerdic, Haris Dervisagic dhe Lejla Varenikovic, kanë shpjeguar që përmes elementëve të dizajnit ata janë munduar të tregojnë konsideratat për hapësirën dhe hapësirat rrethuese, duke mundësuar që kopshti të jetë i sigurt, mikpritëse dhe një ambient në të cilin fëmijët do të kenë dëshirë ta kalojnë një pjesë të ditës.

“Projekti ynë vë theksin tek trajtesa holistike ndaj dizajnit arkitekturor, duke i dhënë përparësi qasjes, sigurisë dhe funksionalitetit, në raport me konfigurimin e terrenit dhe kontekstin e përgjithshëm. Për faktin që parcela ka pjerrtësi natyrore dhe karakteristika lehtësisht të dallueshme, siç për shembull është pjesa kodrinore, e cila mund të shërbejë si park lojërash, dizajni ynë integrohet pa vështirësi brenda hapësirave rrethuese. Hapësira për shumë qëllime është vendosur në qendër të objektit, duke krijuar më shumë mundësi në të tre nivelet, përmes përfshirjes së atriumeve mirë të vendosura, ashtu që drita natyrore të depërtojë në hapësirat e brendshme. Njëkohësisht, çdo zonë, që prej hyrjes, deri tek dhomat e stafit mjekësor dhe dhomat e stafit tjetër të çerdhe-kopshtit janë trajtuar me kujdes të madh, për të siguruar funksionalitet dhe rehati për fëmijët dhe për vetë stafin. Duke i vendosur hapësirat e shërbimit në dy kate, ne synojmë që të ngrisim efikaistetin e punëve ditore dhe menaxhimin më të mirë të burimeve, në mënyrë që ambienti për fëmijët të jetë sa më i këndshëm. Tarracat ngjitur me hyrjen ofrojnë hapësira të përbashkëta për shoqërim dhe për të pushuar, duke i dhënë ndërtesës dimensionin e domosdoshëm social. Në këtë projekt, përveç krijimit të hapësirave të rehatshme për fëmijët, theksi vihet tek dizajni i qëndrueshëm dhe kujdesi ndaj mjedisit. Përmes elementëve të dizajnit ne kemi treguar konsideratat për hapësirën dhe hapësirat rrethuese, duke mundësuar që kopshti të jetë i sigurt, mikpritëse dhe një ambient në të cilin fëmijët do të kenë dëshirë ta kalojnë një pjesë të ditës”.

Për çerdhe-kopshtin në lagjen Mati 1, vlera e përgjithshme e shpërblimeve është përcaktuar në shifrën 12 mijë e 200 euro, prej të cilave 7 mijë euro i takojnë vendit të parë, 3 mijë e 500 vendit të dytë dhe 1 mijë e 700 euro vendit të tretë.

Ndërkaq, për çerdhe-kopshtin në lagjen Kolovicë, vendi i parë do të shpërblehet me 6 mijë euro, i dyti me 3 mijë dhe i treti me 1 mijë e 500 euro. Pra, tërësia e shpërblimeve do të jetë 10 mijë e 500 euro.

Në këto konkurse ndërkombëtare, të hapura në dhjetor të vitit të shkuar, përveç arkitektëve dhe studiove të arkitekturës nga vendi dhe rajoni, kanë aplikuar edhe një numër shumë i madh i arkitektëve dhe studiove të huaja.

Të fundit

Në fokus

SHERBIMI I ARKITEKTIT TE KRYEQYTETIT

© 2023 - SHAK

KUSHTET E PERDORIMIT

© 2023 - SHAK

KUSHTET E PERDORIMIT

01

04

LinkedIn

Twitter

Facebook

Instagram

admin@shak.archi

+383-44-111-222

Twitter

Adresa

SHËRBIMI I ARKITEKTIT TË KRYEQYTETIT

SHËRBIMI I ARKITEKTIT TË KRYEQYTETIT

Kontakti: