Pas një procesi të gjatë dhe të hollësishëm vlerësimi, juria e përbërë nga personalitete të shquara në fushën e arkitekturës dhe akademisë ka arritur t’i përzgjedhë pesë koncept-dizajnet më të mira në konkursin e koncept-dizajnit të çerdhe-kopshtit në lagjen Mati 1 dhe Kolovicë. Ky konkurs ka tërhequr vëmendjen e qindra aplikantëve, të cilët kanë paraqitur projektet e tyre inovative dhe vizionare për këto dy çerdhe-kopshte.
Juria, e përbërë nga përfaqësuesi i Asociacionit të Arkitektëve të Kosovës, arkitekti Ardit Jadrashi, përfaqësuesi i Komunës së Prishtinës, arkitekti Gëzim Kastrati, dhe akademik Anton Berishaj, ka shqyrtuar me kujdes të gjitha aplikimet, duke vlerësuar kreativitetin, funksionalitetin dhe përshtatjen e tyre me kontekstin mjedisor dhe social të zonës. Kriteret e vlerësimit kanë përfshirë integrimin kontekstual, aspektin funksional, inovacionin dhe origjinalitetin si dhe aspektet estetike.
Pas një analize të thellë dhe diskutimesh të gjata, juria ka arritur në vendimin për të zgjedhur pesë projektet më të mira që shquhen për qasjen e tyre të veçantë ndaj arkitekturës dhe dizajnit të hapësirave edukative për fëmijë. Këto projekte janë dalluar për origjinalitetin e tyre, duke propozuar zgjidhje të reja dhe të qëndrueshme që synojnë të përmirësojnë cilësinë e jetës dhe të ofrojnë një mjedis të përshtatshëm për edukimin dhe lojën e fëmijëve të lagjeve Mati 1 dhe Kolovicë.
Në konkursin për çerdhe-kopshtin në lagjen Mati 1, lista preliminare e fituesve është si vijon:
- r6r50t@gmail.com
- 420aen@gmail.com
- c4rv1x@gmail.com
- b20im2@gmail.com
- x74mmh@gmail.com
Ndërkaq, në konkursin për çerdhe-kopshtin në lagjen Kolovicë, lista preliminare ka këtë radhitje:
- 1olk4p@gmail.com
- d5gv8j@gmail.com
- e2fhjl@gmail.com
- mkk1ac@gmail.com
- mkk1ac@gmail.com
Për çerdhe-kopshtin në lagjen Mati 1, vlera e përgjithshme e shpërblimeve është përcaktuar në shifrën 12 mijë e 200 euro, prej të cilave 7 mijë euro i takojnë vendit të parë, 3 mijë e 500 vendit të dytë dhe 1 mijë e 700 euro vendit të tretë.
Ndërkaq, për çerdhe-kopshtin në lagjen Kolovicë, vendi i parë do të shpërblehet me 6 mijë euro, i dyti me 3 mijë dhe i treti me 1 mijë e 500 euro. Pra, tërësia e shpërblimeve do të jetë 10 mijë e 500 euro.
Në këto konkurse ndërkombëtare, të hapura në dhjetor të vitit të shkuar, përveç arkitektëve dhe studiove të arkitekturës nga vendi dhe rajoni, kanë aplikuar edhe një numër shumë i madh i arkitektëve dhe studiove të huaja.
Lista përfundimtare e fituesve do të shpallet më 31 mars.