Ekspozita me projektet më të mira në konkurset ndërkombëtare për çerdhe-kopshte në lagjet Mati 1 dhe Kolovicë do të hapet të martën më datë 23.04.2024, në ora 16:30, në hollin e objektit të vjetër të Komunës së Prishtinës.
Përveç tre pozitave të para, në të dy konkurset, do të shfaqen edhe projektet tjera që kanë arritur të futen në dhjetëshen e parë dhe që i kanë plotësuar të gjitha kriteret e vendosura në konkursin e shpallur në dhjetor të vitit të shkuar.
Projekti fitues në konkursin ndërkombëtar për koncept-dizajn të çerdhe-kopshtit në Lagjen Mati 1, është përzgjedhur ai i arkitektëve Arjeta Gorqaj dhe Shpat Ademaj, të cilët atë e cilësojnë si ambient gjithëpërfshirës, që i përgatit fëmijët jo vetëm në rrafshin edukativ, por edhe në atë social dhe emocional.
Projekti i përzgjedhur si i dyti më i mirë në konkursin ndërkombëtar për koncept-dizajn të çerdhe-kopshtit në Lagjen Mati 1 është një bashkëpunim kosovaro-maqedonas. Duke vënë theksin tek ndikimi ambiental, por veçanërisht tek nevojat e fëmijëve për ambient të këndshëm, EN:A Office dhe Alko – H, vlerësojnë të kenë krijuar një hapësirë krejt të veçantë që i takon të ardhmes.
Në pozitën e tretë, në konkursin ndërkombëtar për koncept-dizajn të çerdhe-kopshtit në Lagjen Mati 1 është ai i arkitektit turk Halil Soysal Cirit. Autori i projektit ka sqaruar se në fokus të krijimit të tij ka qenë maksimizimi i hapësirave të gjelbra dhe hapësirat që fëmijëve u japin mundësi të zhvillohen.
Ndërkaq, konkursin ndërkombëtar për koncept-dizajn të çerdhe-kopshtit në lagjen Kolovicë e ka fituar bashkëkrijimi i arkitektëve Serhat Sen, Kemal Tas, Dilara Akdemir, Alican Tufenkoglu dhe Ramiz Laçi, sipas tyre, sjell frymë të re në mënyrën si mendohen dhe realizohen çerdhe-kopshtet.
Në konkursin ndërkombëtar për koncept-dizajn të çerdhe-kopshtit në Lagjen Kolovicë, projekti i përzgjedhur si i dyti më i mirë është krijim i arkitektëve nga Korea Jugore, Yejun Lee, Seohyun Lee dhe Chanwon Lee, të cilët shpjegojnë se bazuar në teorinë e edukimit Montessori kanë konceptuar një hapësirë fluide, e cila i përgjigjet nevojave zhvillimore të fëmijëve.
Projekti i përzgjedhur si i treti më i mirë në konkursin ndërkombëtar për koncept-dizajn të çerdhe-kopshtit në Lagjen Kolovicë është po ashtu një bashkëpunim rajonal. Në shpjegimin e tyre lidhur me projektin, arkitektët Elja Putes, Jasmin Oerdic, Haris Dervisagic dhe Lejla Varenikovic, kanë shpjeguar që përmes elementëve të dizajnit ata janë munduar të tregojnë konsideratat për hapësirën dhe hapësirat rrethuese, duke mundësuar që kopshti të jetë i sigurt, mikpritëse dhe një ambient në të cilin fëmijët do të kenë dëshirë ta kalojnë një pjesë të ditës.
Për çerdhe-kopshtin në lagjen Mati 1, vlera e përgjithshme e shpërblimeve është përcaktuar në shifrën 12 mijë e 200 euro, prej të cilave 7 mijë euro i takojnë vendit të parë, 3 mijë e 500 vendit të dytë dhe 1 mijë e 700 euro vendit të tretë.
Ndërkaq, për çerdhe-kopshtin në lagjen Kolovicë, vendi i parë do të shpërblehet me 6 mijë euro, i dyti me 3 mijë dhe i treti me 1 mijë e 500 euro. Pra, tërësia e shpërblimeve do të jetë 10 mijë e 500 euro.
Në këto konkurse ndërkombëtare, të hapura në dhjetor të vitit të shkuar, përveç arkitektëve dhe studiove të arkitekturës nga vendi dhe rajoni, kanë aplikuar edhe një numër shumë i madh i arkitektëve dhe studiove të huaja.