Thirrjes së Shërbimit të Arkitektit të Kryeqytetit për pjesëmarrje në konkursin për projektin ideor të sheshit “Xhorxh Bush” i janë përgjigjiur studiot arkitekturore “Yazgan Design Architecture”, “AB Group” dhe “XPlan Studio”. Ky konkurs ka për qëllim të gjenerojë ide kreative dhe funksionale që do të transformojnë këtë hapësirë të rëndësishme publike në një pikë kyçe të identitetit të qytetit tonë.
Propozimet duhet të përfaqësojnë një ndërthurje harmonike të modernizimit urban dhe të karakterit historik e kulturor të zonës. Projekti synon të krijojë një mjedis publik të qasshëm, të gjallë dhe estetikisht tërheqës, që ofron mundësi për relaks, aktivitete shoqërore dhe shfrytëzim të hapësirave të gjelbra, duke përfshirë elemente që theksojnë përkatësinë lokale dhe lidhjet ndërkombëtare.
Studiot ftohen të dorëzojnë propozimet e tyre në përputhje me udhëzimet e përcaktuara në dokumentet e konkursit, brenda afatit të përcaktuar tremujor. Shërbimi i Arkitektit të Kryeqytetit siguron se procesi do të zhvillohet me standardet më të larta profesionale, duke garantuar realizimin e projektit që do të përmirësojë cilësinë e jetës në kryeqytet.
Projekt-propozimet do të prezantohen sipas orarit të mëposhtëm:
Punimet do të ekspozohen në hollin e ekspozitave të Shërbimit të Arkitektit të Kryeqytetit, në rrugën Fehmi Agani, nr.43 në Prishtinë, prej datës 22.01.2024 deri 20.02.2024 me orar prej 09:00 deri 17:00, të shtunave prej 10:00 deri 20:00.
Ftohen qytetarët që sugjerimet e tyre dhe vërejtjet eventuale ti postojnë në kutinë e vendosur në hyrje të ekspozitës. Profesionistët e fushës dhe Arkitektët inkurajohen që pos postimeve të tyre të çmuara, të marrin pjesë aktivisht, edhe në prezantimet e autorëve të projektit të cilat do të mbahen sipas orarit në vijim:
- Prezentimi i punimit të kompanisë “Yazgan Design Architecture”, nga Ankaraja, do ta udhëhiqet nga autori z.Kerem Yazgan dhe i njejti do të mbahet në adresën e mësipërme të mërkurën, më 21.02.2024 prej orës 10:00 deri 12:00. Në këtë orar janë të përfshira edhe pyetjet dhe përgjigjet nga autorët.
- Prezentimi i punimit të kompanisë “AB Group”, nga Prishtina, do ta udhëhiqet nga autori z.Arianit Loxha dhe i njejti do të mbahet në adresën e mësipërme të mërkurën, më 21.02.2024 prej orës 13:00 deri 15:00.
- Prezentimi i punimit të kompanisë “XPlan Studio”, nga Tirana, do ta udhëhiqet nga autori z.Gjergj Islami dhe i njejti do të mbahet në adresën e mësipërme të mërkurën, më 21.02.2024 prej orës 15:00 deri 17:00.
Në ora 18:00 do të shpallen rezultatet e jurisë profesionale dhe votimit të qytetarëve. Koktej rasti do të ketë në ora 19:00.