Trafiku i mbingarkuar ka qenë për një kohë të gjatë problematikë me të cilën është përballur kryeqyteti. Një telash i madh, të cilin nuk mund ta linim pa i dhënë zgjidhje. Fillimisht na duhej të dinim sa makina hyjnë e dalin dhe sa qarkullojnë rrugëve të Prishtinës.
Kemi vendosur 18 kamera në rrugët dhe udhëkryqet kryesore të qytetit. Dhe për dy javë rresht e kemi kemi matur trafikun, përgjatë 24 orëve. Tani e dimë që 140 mijë makina hyjnë brenda ditës në qytet. Prej tyre, 13 mijë vetëm gjatë orës kulmore, nga të cilat 9 mijë qarkullojnë vetëm në unazën e brendshme.
Për pasojë, pritet mesatare në semaforë kanë dalë të jenë 298 sekonda për automjet. Pra, mijëra euro humbje ditore në karburant. Dhe dhjetëra e qindra mijëra të tjera në orë pune.
Krejt këto i takojnë të shkuarës.
Zgjidhja e problemit të trafikut nga SHAK-u bën të mundur që pritja në semafor të zvogëlohet për 95%, shpenzimet e karburantit për 80% dhe që shpejtësia mesatare e lëvizjes të rritet nga 12 km/h sa ishte, në 37 km/h.
Pra, një qark i plotë në unazën e brendshme të qytetit, e cila paraprakisht zgjaste 55 minuta, tani kryhet për 12 minuta. Kjo e zgjidh përfundimisht problemin e trafikut të ngarkuar në kryeqytet.