Fshati Olimpik e bën Prishtinën qendër ballkanike të sportit

Prishtina do të jetë qendra ballkanike e sportit në vitin 2030. Organizimi i Lojërave Olimpike Mesdhetare, të cilat i fituam vitin e kaluar, e garanton këtë status. Kjo ka bërë të nevojshme përshpejtimin e planeve për Kampusin e Sporteve, që do të marrë formën dhe titullin e Fshatit Olimpik. Në një hapësirë prej 60 hektarësh, janë paraparë hapësira sportive, administrative dhe afariste, si dhe akomodimi, të cilat janë të ndara në tre zona që komunikojnë mes vete përmes lëvizjes në këmbë dhe me biçikletë mbi tokë, ndërsa nëntokë janë paraparë parkingjet për makina. Sallat për sporte të ndryshme, stadiumi qendror dhe fushat ndihmëse janë vendosur në qendër të këtij projekti madhor. Në njërën anë janë hapësirat rezidenciale për sportistët, dhe në anën tjetër janë hapësirat administrative, ku do të vendosen federatat sportive dhe ato afariste, duke i dhënë gjallëri gjithë zonës.

Lojërat Mesdhetare janë një festë e madhe e sportit dhe kulturës, që nxjerr në pah fuqinë përbashkuese të sportit, që prej antikitetit. Organizimi i tyre në Prishtinë më 2030 e tejkalon këtë përkufizim, duke marrë trajtën e një tjetër arritjeje të rëndësishme në zhvillimin urban dhe shoqëror. Përmes të qenit nikoqire e atyre lojërave, kryeqendra e Kosovës mëton të shndërrohet në një qytet modern, të zhvilluar ekonomikisht dhe të ndërlidhur e interesant për të huajt. Përgatitjet për këto lojëra paraqesin një prej ndërmarrjeve më të mëdha në vend, në një sërë rrafshesh dhe shërbejnë si pikëpjekje midis ambicies, inovacionit dhe përkushtimit për qytetin e së ardhmes. Synimi i këtij projekti madhor është nxjerrja e Prishtinës në harën e qyteteve të rëndësishme botërore të sportit, me veçanti urbanistike dhe mikpritje të dallueshme.

Një aspekt tjetër i rëndësishëm i këtij projekti është edhe ai ekonomik. Përmes projekteve të ndërtimit dhe punëve të tjera që ndërlidhen me to, stimulohet punësimi i banorëve të zonave përreth, gjë që në mënyrë të tërthorë injekton para në ekonominë e qytetit. Pas mbarimit të lojërave, një pjesë e hapësirave parashihet të adaptohen dhe riorganizohen për përdorim nga komuniteti, duke bërë të mundur që i gjithë kompleksi të ketë shfrytëzueshmëri dhe levërdishmëri në afat të gjatë kohor. Për këtë projekt kaq të rëndësishëm është qenësor parimi i qëndrueshmërisë, ashtu që të gjitha ndërtimet t’i plotësojnë kushtet më rigoroze mjedisore. Prej ndërtesave që minimizojnë harxhimin e energjisë elektrike, tek sistemet e menaxhimit të mbetjeve që promovojnë riciklimin, çdo aspekt i Fshatit Olimpik është i menduar për ta ulur ndikimin në mjedis.

Në rrafshin arkitekturor, për ndërtimin e Fshatit Olimpik premisa të rëndësishme janë inovacioni dhe funksionaliteti, veçanërisht në ndërtimin e disa ngrehinave sportive të domosdoshme për zhvillimin e lojërave. Në zemër të projektit parashihet të vendoset stadiumi i futbollit, i cili përveç rolit qendror në hapjen dhe mbylljen e Lojërave Mesdhetare, pas mbarimit të tyre do të kthehet në arenën më të rëndësishme futbollistike të vendit. Krahas stadiumit, një hapësirë shumë e munguar si ajo e sporteve ujore, me përmasa olimpike, do të mirëpresë garat e notit, zhytjes dhe water polo-s. Me mbarimin e Lojërave Mesdhetare, këto hapësira do të mund të kalojnë në shërbim të komunitetit dhe të federatave përkatëse, për t’i dhënë një shtytje të re sporteve ujore.

Po ashtu parashihet ndërtimi i një salle të sporteve me dorë, që përveç për sportet si basketbolli, hendbolli e volejbolli, do të ishte e përshtatshme edhe për gjimnastikë dhe atletikë në hapësira të mbyllura. Kjo hapësirë do të ishte shumë-përdorimëshe dhe lehtë e përshtatshme për një numër të madh sportesh. Në këtë rast, fokusi do të vihet tek arkitektura modulare, në mënyrë që kjo hapësirë të mund t’i shërbejë infrastrukturës sportive të qytetit për një kohë relativisht të gjatë. Në Masterplan, pjesë e rëndësishme është edhe ndërtimi i disa fushave të tenisit, me një fushë qendrore, që po ashtu do të mund të përdoret edhe për sporte të tjera si hendbolli, volejbolli dhe futbolli i vogël. Meqë sportet luftarake janë ndër më të zhvilluarat në vend, me theks të veçantë xhudo, karate dhe boksi, parashihet ndërtimi i një salle të standardeve ndërkombëtare, me të gjitha hapësirat e nevojshme, ku do të zhvillohen garat për Lojërat Mesdhetare dhe më pas të organizohen gara rajonale dhe europiane.

Në tërësinë e tij, Fshati Olimpik është një projekt madhështor që prek sferën ekonomike, shoqërore dhe mjedisore. Qëllimi është që ky kampus të kthehet në një nga hapësirat më të rëndësishme sportive në rajon, duke krijuar vlerë të shtuar për komunitetin dhe për vetë qytetin. Hapësirat administrative, komerciale dhe rezidenciale, që gjatë mbajtjes së garave do të jenë plotësisht në funksion të tyre, pas mbarimit do të jenë në shërbim të komunitetit dhe të vetë kampusit olimpik. Kjo e bën Prishtinën e së ardhmes një kryeqytet të sportit, që është vizioni ynë.

01

04

LinkedIn

Twitter

Facebook

Instagram

admin@shak.archi

+383-44-111-222

Twitter

Adresa

SHËRBIMI I ARKITEKTIT TË KRYEQYTETIT

SHËRBIMI I ARKITEKTIT TË KRYEQYTETIT

Kontakti: