Mbyllet aplikimi në konkursin për sheshin monumental që nderon sakrificën e Adem Jasharit dhe familjes Jashari

Është mbyllur periudha e aplikimit në konkursin e hapur nga Shërbimi i Arkitektit të Kryeqytetit për sheshin monumental që simbolizon sakrificën e Adem Jasharit dhe familjes Jashari, si dhe peshën e saj në rrugëtimin drejt çlirimit.

Konkursi ka qenë i hapur për të gjithë artistët, piktorët, arkitektët, dizajnerët grafik, fotografët, artizanët, studentët dhe profesionistët. Në thirrjen për aplikim ëshët sqaruar se qëllimi është që sheshi ta ketë pjesë thelbësore monumentin e qëndresës, guximit dhe lavdisë së Adem Jasharit dhe familjes Jashari, si një prej themeleve të rëndësishme të lirisë së vendit.

Pra, monumenti synon të nderojë përkushtimin, guximin dhe sakrificën e palëkundur të Adem Jasharit dhe familjes së tij gjatë luftës së Kosovës për pavarësi dhe të shërbejë si një kujtesë e fuqishme për rolin e tyre kryesor në lëvizjen çlirimtare dhe përkushtimin e tyre ndaj kauzës.

Pas mbylljes së periudhës së aplikimit, të gjithë ata që kanë plotësuar parakushtet e pjesëmarrjes do të kenë afat që deri më 29 maj t’i dorëzojnë projektet e tyre, brenda parametrave të përcaktuar në konkurs.

Përzgjedhja preliminare e më të mirëve do të kryhet deri më datë 14 qershor, ndërkaq shpallja e fituesve të konkursit për sheshin monumental do të bëhet më 29 qershor.

Prishtina 2030: Drejt të ardhmes, përmes Lojërave Mesdhetare

Lojërat Mesdhetare janë një festë e madhe e sportit dhe kulturës, që nxjerr në pah fuqinë përbashkuese të sportit, që prej antikitetit, teksa në rastin e Prishtinës, organizimi i tyre më 2030 e tejkalon këtë përkufizim, duke marrë trajtën e një tjetër arritjeje të lavdërueshme në zhvillimin urban dhe shoqëror. Përmes të qenit nikoqire e atyre lojërave, kryeqendra e Kosovës mëton që, përveç vënies së theksit tek mundësitë që ofron, të shndërrohet rrugës në një qytet modern, të zhvilluar ekonomikisht dhe të ndërlidhur e interesant për të huajt.

Përgatitjet për këto lojëra paraqesin një prej ndërmarrjeve më të mëdha në vend, në një sërë rrafshesh dhe shërbejnë si pikëpjekje midis ambicies, inovacionit dhe përkushtimit për qytetin e së ardhmes. Synimi i këtij projekti madhor është nxjerrja e Prishtinës në harën e qyteteve të rëndësishme botërore të sportit, me veçanti urbanistike dhe mikpritje të dallueshme. Në themele të këtij angazhimi është Fshati Olimpik, që do të ndërtohet jo thjesht si një hapësirë sportive dhe rezidenciale për sportistët, por si një kompleks që do t’i shërbejë komunitetit dhe gjeneratave të së ardhmes.

Prandaj, për këtë projekt kaq të rëndësishëm është qenësor parimi i qëndrueshmërisë, ashtu që të gjitha ndërtimet t’i plotësojnë kushtet më rigoroze mjedisore. Prej ndërtesave që mnimizojnë harxhimin e energjisë elektrike, tek sistemet e menaxhimit të mbetjeve që promovojnë riciklimin, çdo aspekt i Fshatit Olimpik është i menduar për ta ulur ndikimin në mjedis. Ndërthurja e hapësirave të gjelbra, parqeve publike dhe hapësirave tjera shoqëruese e vë akoma më tepër në pah synimin për të krijuar një hapësirë urbane të shëndetshme dhe plot jetë.

Një aspekt tjetër i rëndësishëm i këtij projekti është edhe ai ekonomik. Përmes projekteve të ndërtimit dhe punëve të tjera që ndërlidhen me to, stimulohet punësimi i banorëve të zonave përreth, gjë që në mënyrë të tërthorë injekton para në ekonominë e qytetit. Në anën tjetër, pas mbarimit të lojërave, një pjesë e hapësirave parashihet të adaptohen dhe riorganizohen për përdorim nga komuniteti, duke bërë të mundur që tërë ai kompleks të ketë shrytëzueshmëri dhe levërdishmëri në afat të gjatë kohor.

Në rrafshin arkitekturor, për ndërtimin e Fshatit Olimpik premisa të rëndësishme janë inovacioni dhe funksionaliteti, veçanërisht në ndërtimin e disa ngrehinave sportive të domosdoshme për zhvillimin e lojërave. Në zemër të projektit parashihet të vendoset stadiumi i futbollit, i cili përveç rolit qendror në hapjen dhe mbylljen e Lojërave Mesdhetare, pas mbarimit të tyre do të kthehet në arenën më të rëndësishme futbollistike të vendit.

Krahas stadiumit, një hapësirë shumë e munguar si ajo e sporteve ujore, me përmasa olimpike, do të mirëpresë garat e notit, zhytjes dhe water polo-s. Të pajisura me teknologjitë më moderne, ato hapësira do të ofrojnë kushte optimale për atletët dhe shikuesit. Me mbarimin e Lojërave Mesdhetare, këto hapësira do të mund të kalojnë në shërbim të komunitetit dhe të federatave përkatëse, për t’i dhënë një shtytje të re sporteve ujore.

Planet janë po ashtu për ndërtimin e një salle të sporteve me dorë, që do të ishte e përshtatshme edhe për gjimanstikë dhe atlektikë në hapësira të mbyllura. Pra, kjo hapësirë do të ishte shumë-përdorimëshe dhe lehtë e përshtatshme për një numër sportesh. Në këtë rast, fokusi do të vihet tek arkitektura modulare, në mënyrë që kjo hapësirë të mund t’i shërbejë në një numër mënyrash dhe për një kohë relativisht të gjatë infrastrukturës sportive të qytetit.

Po ashtu, parashihet ndërtimi i disa fushave të tenisit, me një fushë qendrore, që po ashtu do të mund të përdoret edhe për sporte të tjera si hendbolli, volejbolli dhe futbolli i vogël.

Meqë sportet luftarake janë ndër më të zhvilluarat në vend, me theks të veçantë xhudo, karate dhe boksi, parashihet ndërtimi i një salle të standardeve ndërkombëtare, me të gjitha hapësirat e nevojshme, ku jo vetëm do të zhvilloheshin garat për Lojërat Mesdhetare, por do të mund që pastaj të organizoheshin edhe gara të niveleve rajonale dhe madje europiane në këto sporte.

Hapësirat tjera administrative, komerciale dhe rezidenciale, që gjatë mbajtjes së garave do të jenë plotësisht në funksion të tyre, pas mbarimit do të jenë në shërbim të komunitetit dh etë vetë kampusit olimpik brenda të cilit ndodhen.

Në tërësinë e tij, Fshati Olimpik është një projekt madhështor, që tangon sferën eknomike, shoqërore dhe atë mjedisore. Qëllimi është që ky kampus të kthehet në një nga hapësirat më të rëndësishme sportive në rajon, që përveç për sportistët, krijon vlerë të shtuar për komunitetin përrreth dhe për vetë qytetin.

01

04

Paleta

LinkedIn

Twitter

Facebook

Instagram

admin@shak.archi

+383-44-111-222

01

04

Paleta

Twitter

Adresa

SHËRBIMI I ARKITEKTIT TË KRYEQYTETIT

SHËRBIMI I ARKITEKTIT TË KRYEQYTETIT

Kontakti: