Fshati Olimpik e kthen Prishtinën në qendër ballkanike të sportit

Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030” paraqesin arritje dhe mundësi të jashtëzakonshme për ta ridimensionuar jo vetëm kryeqendrën, por mbarë vendin, duke e kthyer në një qendër rajonale të sportit. Kjo shkon krahpërkrah me vizionin, i cili zbatohet përmes një numri të madh projektesh të Shërbimit të Arkitektit të Kryeqytetit, për ta bërë Prishtinën një qytet modern, të zhvilluar ekonomikisht, që i plotëson nevojat dhe pritjet e qytetarëve të vetë, duke qenë njëherësh interesant për të huajt.

Përgatitjet për ngjarje të këtyre përmasave paraqesin ndërmarrje të madhe dhe sfiduese në një sërë rrafshesh. Njëri prej më të rëndësishmëve është ai infrastrukturor. Kapacitetet sportive, administrative dhe akomoduese, të denja për të garantuar mbarëvajtjen në nivelin më të lartë të ngjarjeve të tilla, janë të pamjaftueshme. Ngritja e tyre është një sfidë, në kuptim sportiv të një vrapimi të gjatë dhe me pengesa, që prej konceptimit, deri në realizimin përfundimtar të tyre.

Si të tilla ato mund të kishin kuptim vetëm brenda një tërësie, të cilën e kemi konceptuar në trajtën e një Fshati Olimpik. I vendosur në fshatin Bërnicë, në një hapësirë prej 60.2 hektarësh, ky fshat plotëson të gjitha nevojat për Lojërat Mesdhetare dhe krijon shumësi mundësish për të ardhmen. Një kryevepër e arkitekturës sportive, shoqëruar me hapësira administrative, komerciale e akomoduese, Plani Rregullues i Hollësishëm për ndërtimin e së cilës, pas analizave shteruese sociale, ekonomike dhe mjedisore, tanimë është gati.

Të gjithë faktorët që ndikojnë dhe mund të ndikojnë kanë qenë pjesë e tre skenarëve të cilët janë marrë në shqyrtim, qysh në krye të herës: prej një fshati të dedikuar krejtësisht sportit, tek një tjetër më gjithëpërfshirës dhe përfundimisht në atë që kemi përzgjedhur, si përpjesën më të qëndrueshme, midis dimensioneve të ndryshme që do të përmbajë: 55% hapësira sportive, 35% hapësira shërbimesh dhe 10% akomoduese, është ndarja që ka rezultuar më optimale, karshi të gjitha të tjerave, për Fshatin Olimpik të Prishtinës.

Ndërtimi i këtij fshati do të mundësojë zhvillimin e 21 disiplinave olimpike, brenda kompleksit. Po ashtu, parashihet që Fshati Olimpik i Prishtinës t’iu shërbejë 211 klubeve sportive të kryeqendrës, 307 në nivel vendi dhe mbi 500 klubeve sportive në rajon. Në këtë mënyrë, Prishtina bëhet pashmangshëm një prej qendrave më të rëndësishme sportive të rajonit.

Ndërtuar në pjesën qendrore, zona e sportit përbëhet nga disa ngrehina, siç është stadiumi, arena e sporteve ujore, salla e sporteve me dorë, ajo e sporteve luftarake, fushat e tenisit dhe ato për atletikë, si dhe hapësirat tjera ndihmëse sportive. Dominant për nga madhësia, stadiumi do të jetë një nga kryeveprat arkitekturore të qytetit. Përveç ngrehinës qendrore, e cila do të ndërtohet duke pasur në mendje zhvillimin teknologjik dhe që do të ketë 25 mijë ulëse, do të ketë edhe dy fusha tjera stërvitore, me bar natyral.

Afër stadiumit do të jetë kompleksi i pishinave olimpike, që do të ndërtohet në përputhje me kriteret më të larta ndërkombëtare, për t’u kthyer në një nga ambientet më të rëndësishme në rajon për sporte ujore. Përgjatë Lojërave Mesdhetare 2030, ky kompleks i përbërë nga një pishinë e brendshme dhe dy pishina të jashtme do të jetë hapësira kryesore në të cilën do të zhvillohen garat e sporteve ujore.

Një prej sporteve më të rëndësishme, të cilit deri tani në vend i ka munguar infrastruktura, do të ketë kompleksin e tij brenda kësaj qendre. Për të përmbushur kërkesat e evenimentit do të ndërtohet një fushë qendrore e tenisit, që natyrshëm do të jetë pika fokale e përballjeve në këtë sport dhe që do të ketë 2 mijë e 500 ulëse, si dhe gjashtë fusha të tjera, secila me nga 200 ulëse për tenis-dashësit. Përveç tenisit, fusha qëndrore ka parametra të atillë që mundëson luajtjen brenda saj edhe të ndeshjeve të hendbollit, volejbollit dhe futbollit të vogël.

Në anën tjetër të qendrës do të jetë e vendosur qendra e sporteve me dorë dhe ajo e sporteve luftarake. Hapësira qendrore e sporteve me dorë, ku do të luhen të gjitha ndeshjet në basketboll, hendboll dhe volejboll do të ketë kapacitet maksimal prej 8 mijë ulësesh dhe duke qenë e ndërtuar me standardet më të larta, hapësirat e saj do të jenë të përdorshme në variante të ndryshme.

Arena e sporteve luftarake, e vendosur në krah të asaj të sporteve me dorë, do të ketë kapacitet për 7 mijë shikues dhe pas përfundimit të Lojërave Mesdhetare synohet të kthehet në qendrën e munguar të nivelit më të lartë, për të gjithë sportistët e këtyre disiplinave që ka vendi. Atletika dhe disa sporte të tjera, përfshirë çiklizmin dhe 3×3 basketbollin, do të zhvillohen në fushat e hapura, të cilat kanë kapacitet maksimal prej 5 mijë ulësesh.

Ngrehinat administrative, të cilat përveç që para dhe gjatë lojërave do të jenë plot me staf drejtues apo mbështetës për “Prishtina 2030”, pas mbarimit të tyre, mund të pranojnë fakultete, institucione dhe entitete të tjera sportive. Ato komerciale, të përbëra nga qendra tregtare, hoteli dhe hapësira të tjera shoqëruese, i sigurojnë qëndrueshmëri afatgjatë gjithë zonës. Ndërkaq, ato akomoduese do të bëjnë të mundur që Lojërat Olimpike Mesdhetare “Prishtina 2030” të mbahen duke respektuar standardet më të larta për të gjithë sportistët pjesëmarrës.

Krejt këto janë të lidhura me shtigje të gjelbra, që përshkojnë parqe e sheshe dhe midis tyre një liqe, duke e kthyer zonën në një seri hapësirash rekreative. Për ta ruajtur këtë vazhdimësi, pothuaj i gjithë trafiku dhe parkimi i makinave brenda fshatit do të bëhet nën tokë. Pra, lëvizja mbi tokë e makinave do të jetë vetëm perimetrike, me hyrje dhe dalje të mirëorganizuara.

Një tërësi që funksionon. Një Fshat Olimpik që Prishtinës i jep një tjetër dimension. Atë të një qyteti modern. Të një qyteti të së ardhmes.

Të mërkurën hapet ekspozita me projektet për sheshin monumental “Adem Jashari”

Projektet e parakualifikuara në konkursin ndërkombëtar për sheshin monumental në nderim të sakrificës së Adem Jasharit dhe familjes Jashari do të nxirren para publikut në trajtën e një ekspozite e cila do të hapet të markurën e datës katër të shtatorit.

Pesë projektet, të cilat pas vlerësimit të kujdesshëm të një numri të konsiderueshëm aplikimesh, juria profesionale i kishte përzgjedhur si më të mirat, do të shfaqen për një javë rresht në objektet e Komunës së Prishtinës.

Konkursi ka qenë i hapur për të gjithë artistët, piktorët, arkitektët, dizajnerët grafik, fotografët, artizanët, studentët dhe profesionistët. Në thirrjen për aplikim është sqaruar se qëllimi është që sheshi ta ketë pjesë thelbësore monumentin e qëndresës, guximit dhe lavdisë së Adem Jasharit dhe familjes Jashari, si një prej themeleve të rëndësishme të lirisë së vendit.

Monumenti synon të nderojë përkushtimin, guximin dhe sakrificën e palëkundur të Adem Jasharit dhe familjes së tij gjatë luftës së Kosovës për pavarësi dhe të shërbejë si një kujtesë e fuqishme për rolin e tyre kryesor në lëvizjen çlirimtare dhe përkushtimin e tyre ndaj kauzës kombëtare.

Hapja e ekspozitës, në të cilën projektet të cilat kanë kaluar në fazat përfundimtare të vlerësimit nga juria, do të bëhet në ora 16:00. Ekspozita do të mbetet e hapur deri më datë 11 të muajit shtator.

01

04

LinkedIn

Twitter

Facebook

Instagram

admin@shak.archi

+383-44-111-222

Twitter

Adresa

SHËRBIMI I ARKITEKTIT TË KRYEQYTETIT

SHËRBIMI I ARKITEKTIT TË KRYEQYTETIT

Kontakti: