Transformimi i trafikut në kryeqytet

Trafiku i mbingarkuar ka qenë prej vitesh një nga sfidat më të mëdha për kryeqytetin e Kosovës. Me kalimin e viteve, radhët e gjata të automjeteve dhe lëvizja e ngadaltë kanë rënduar jetën e qytetarëve, duke shkaktuar humbje të mëdha kohore dhe financiare.

Për të kuptuar saktësisht përmasat e problemit, janë vendosur 45 kamera në 18 pika kyçe të kryeqytetit, në rrugët dhe udhëkryqet kryesore. Gjatë një periudhe dyjavore, është bërë monitorimi i trafikut përgjatë 24 orëve, duke sjellë të dhëna të sakta mbi lëvizjen e automjeteve. Rezultatet kanë treguar se rreth 140 mijë makina hyjnë në qytet çdo ditë, prej të cilave 13 mijë vetëm gjatë orës kulmore.

Nga analizat e kryera ka rezultuar se rruga që lidh Fushë Kosovën me Prishtinën është më e ngarkuara, me më shumë se 50 mijë makina që hyjnë dhe pothuaj po aq që dalin nga qyteti çdo ditë. Gjatë orës kulmore, numri i automjeteve arrin në 5 mijë. Po ashtu, brenda unazës së brendshme të qytetit qarkullojnë rreth 60 mijë makina në ditë, ku 9 mijë kalojnë në orën më të ngarkuar. Kjo ka bërë që shpejtësia mesatare e lëvizjes të jetë vetëm 12 kilometra në orë, ndërsa vonesat mesatare të jenë 298 sekonda për automjet.

Trafiku i ngarkuar ka krijuar pasoja të konsiderueshme për qytetarët dhe ekonominë e qytetit. Shpenzimet e shtuara për karburant dhe humbjet e mëdha të orëve të punës kanë qenë të vazhdueshme. Po ashtu, nivelet e larta të emetimeve të gazrave kanë ndikuar negativisht në cilësinë e ajrit.

Për të eliminuar ngarkesat e trafikut dhe për të krijuar një sistem më efikas, do të bëhet riorganizimi i plotë i trafikut në unazën e brendshme të qytetit. Lëvizja përgjatë kësaj unaze, që përfshin rrugët “Robert Doll”, “Luan Haradinaj”, “UÇK”, “Agim Ramadani”, “Eqrem Çabej” dhe “Bill Clinton”, do të bëhet në një kah të vetëm, duke ndjekur drejtimin e akrepave të orës. Përjashtim do të bëjë segmenti “Bill Clinton” – “Eqrem Çabej”, deri në pikëprerjen me rrugën “Agim Ramadani”, i cili do të mbetet dykahor.

Për të lehtësuar lëvizjen dhe për të shmangur vonesat, do të ndërtohen dy nënkalime për automjete: një në udhëkryqin pranë “Katedrales” dhe një tjetër përbri “Xhamisë së Çarshisë”. Nga 20 udhëkryqe të planifikuara, vetëm udhëkryqi tek “Menza e Studentëve” do të mbajë semaforë, duke bërë që pjesa tjetër e unazës të jetë pa pengesa.

Me këtë riorganizim, rrugët njëkahore do të kenë tre shirita: dy për automjete dhe një për transport publik. Po ashtu, do të shtohet një shirit për çiklistë, ndërsa për këmbësorët do të ndërtohen trotuare dhe shtigje të gjelbra. Kjo zgjidhje pritet të reduktojë kohën e qarkullimit nga 55 minuta në vetëm 12 minuta për një qark të plotë në unazë. Reduktimi i humbjeve kohore dhe financiare është i dukshëm, dhe emetimet e gazrave pritet të bien ndjeshëm.

Sipas të dhënave, pritja në udhëkryqe do të reduktohet me 2300%, shpenzimet për karburant do të bien me 80%, dhe shpejtësia mesatare do të rritet nga 12 në 37 kilometra në orë, një përmirësim prej mbi 200%.

Zbatimi i kësaj zgjidhjeje do të transformojë mënyrën e lëvizjes në kryeqytet, duke e bërë atë një qytet modern dhe efikas. Përmirësimet janë të ndjeshme në çdo aspekt, duke e bërë jetën më të lehtë për qytetarët dhe duke ndihmuar në ruajtjen e ambientit. Rrjedhimisht, në çdo indikator, përmirësimi është thellësisht i ndjeshëm. Radhët e gjata të makinave nuk janë më, sepse zgjidhja për problematikën e trafikut të ngarkuar në qytet është përfundimtare. Kjo e bën Prishtinën qytet modern. Qytet të së ardhmes.

Ishulli urban që lidh Arbërinë me Pallatin e Rinisë

Dhjetëra mijëra qytetarë dhe po aq makina lëvizin përditë rrugëve të kryeqytetit. Nga njëri kah, në tjetrin. Dhe prej njërës, tek lagja tjetër. Gjallëria është tipike për qytetet përditë në rritje. Krejt ky ndryshim krijon nevoja, madje sfida të reja. Me kohë, kapërcimi i tyre kthehet në domosdoshmëri. Lëvizja në sheshe. Lehtësimi i trafikut. Lidhja e Prishtinës. Pashmangshmëri të qytetit modern.

Një pjesë të udhës në këtë drejtim do të bëhet përmes mbikalimeve. Tre të tilla: në Aktash, midis Pallatit të Rinisë dhe Hotelit Grand dhe në Arbëri, do të bëjnë të mundur që çdo qytetar të dalë në bulevardin qendror në këmbë, pa asnjë pikë takimi me makinat. Më i madhi prej tyre do ta lidhë Arbërinë me Pallatin e Rinisë.

Projekti është rrjedhojë e analizave shteruese për fizibilitet, funksionalitet, strukturë të popullsisë, lëvizje e qasshmëri, vetqëndrueshmëri, dhe dhjetëra parametra të tjerë. Do të ndërtohet midis pjesës së vjetër dhe asaj të re të lagjes, pikërisht aty ku ishte paraparë me projektin e Pallatit të Rinisë, para pothuaj pesë dekadash.

Dhe do ta lehtësojë përditshmërinë e mbi 50 mijë prishtinasve, të cilëve u mundësohet kalimi i sigurt në këmbë, deri tek Pallati i Rinisë dhe tutje në bulevardin qendror. Në pikat kyçe do të ketë ashensorë, në mënyrë që personat me nevoja të veçanta, probleme shëndetësore dhe çdonjëri tjetër me pamundësi për të përdorur shkallët, ta ketë të lehtë qasjen në të.

Si i tillë, përtej të qenit thjesht një mbikalim, është një ishull urban shumëfunksional, me rëndësi që kalon ndërlidhjen e dy pikave të qytetit. Konfigurimi i terrenit në lagjen Arbëria, me pjerrësi të lartë, e bën të vështirë pasjen e hapësirave të bollshme publike për banorët.

Hapësirat e gjelbra, mini-parqet me lojëra për fëmijë, shtigjet e vrapimit dhe shtigjet për biçikleta, do t’i japin frymë dhe do të krijojnë dimensione të reja për gjithë lagjen, teksa nën to do të vazhdojë qarkullimi i papenguar i makinave. Për ta bërë të vetëqëndrueshëm kemi projektuar mbi 2 mijë metra katror lokale, në katin përdhesë, të cilat mund të përdoren për qëllime komerciale.

Krejt këto, në një ishull urban shumë modern. Një mbikalim, që përveç një lagjeje me pjesën tjetër të qytetit, e lidh qytetin me të ardhmen. Për Prishtinën e së ardhmes.

Nisin punimet në ishullin urban që do ta lidhë Arbërinë me Pallatin e Rinisë

Kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama dhe ai i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, kanë marrë pjesë në ceremoninë e nisjes së punimeve për ndërtimin e ishullit urban që do ta lidhë lagjen Arbëria me Pallatin e Rinisë.

“Pas një pune të palodhshme po inaugurojmë fillimin e punimeve”, tha në fjalën e tij hyrëse kryetari i kryeqytetit, i cili po ashtu sqaroi se ndërtimi i këtij ishulli urban do të kushtojë 6.5 milionë euro dhe investimi do të kryhet krejtësisht nga Komuna e Prishtinës.

Kryetari i LDK-së, ndërkaq, deklaroi se ky projekt, por edhe të tjera projekte kapitale, të cilat po ndërtohen në Prishtinë, janë shenjë të cilën po e lë kryetari i kryeqytetit, përkundër mungesës së mbështetjes dhe pengesave që po i bëhen.

Ndërtimi i këtij ishulli urban, i cili do ta lehtësojë përditshmërinë për më tepër se 50 mijë prishtinas, është rrjedhojë e analizave shteruese për fizibilitet, funksionalitet, strukturë të popullsisë, lëvizje e qasshmëri, vetqëndrueshmëri, dhe dhjetëra parametra të tjerë.

Hapësirat e gjelbra, mini-parqet me lojëra për fëmijë, shtigjet e vrapimit dhe shtigjet për biçikleta, do t’i japin frymë dhe do të krijojnë dimensione të reja për gjithë lagjen, teksa nën to do të vazhdojë qarkullimi i papenguar i makinave.

Në pikat kyçe do të ketë ashensorë, në mënyrë që personat me nevoja të veçanta, probleme shëndetësore dhe çdonjëri tjetër me pamundësi për të përdorur shkallët, ta ketë të lehtë qasjen në të.

Për ta bërë të vetëqëndrueshëm janë projektuar mbi 2 mijë metra katror lokale, në katin përdhesë, të cilat mund të përdoren për qëllime komerciale. Krejt këto, në një ishull urban shumë modern. Një mbikalim, që përveç një lagjeje me pjesën tjetër të qytetit, e lidh qytetin me të ardhmen. Për Prishtinën e së ardhmes.

Fshati Olimpik e kthen Prishtinën në qendër ballkanike të sportit

Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030” paraqesin arritje dhe mundësi të jashtëzakonshme për ta ridimensionuar jo vetëm kryeqendrën, por mbarë vendin, duke e kthyer në një qendër rajonale të sportit. Kjo shkon krahpërkrah me vizionin, i cili zbatohet përmes një numri të madh projektesh të Shërbimit të Arkitektit të Kryeqytetit, për ta bërë Prishtinën një qytet modern, të zhvilluar ekonomikisht, që i plotëson nevojat dhe pritjet e qytetarëve të vetë, duke qenë njëherësh interesant për të huajt.

Përgatitjet për ngjarje të këtyre përmasave paraqesin ndërmarrje të madhe dhe sfiduese në një sërë rrafshesh. Njëri prej më të rëndësishmëve është ai infrastrukturor. Kapacitetet sportive, administrative dhe akomoduese, të denja për të garantuar mbarëvajtjen në nivelin më të lartë të ngjarjeve të tilla, janë të pamjaftueshme. Ngritja e tyre është një sfidë, në kuptim sportiv të një vrapimi të gjatë dhe me pengesa, që prej konceptimit, deri në realizimin përfundimtar të tyre.

Si të tilla ato mund të kishin kuptim vetëm brenda një tërësie, të cilën e kemi konceptuar në trajtën e një Fshati Olimpik. I vendosur në fshatin Bërnicë, në një hapësirë prej 60.2 hektarësh, ky fshat plotëson të gjitha nevojat për Lojërat Mesdhetare dhe krijon shumësi mundësish për të ardhmen. Një kryevepër e arkitekturës sportive, shoqëruar me hapësira administrative, komerciale e akomoduese, Plani Rregullues i Hollësishëm për ndërtimin e së cilës, pas analizave shteruese sociale, ekonomike dhe mjedisore, tanimë është gati.

Të gjithë faktorët që ndikojnë dhe mund të ndikojnë kanë qenë pjesë e tre skenarëve të cilët janë marrë në shqyrtim, qysh në krye të herës: prej një fshati të dedikuar krejtësisht sportit, tek një tjetër më gjithëpërfshirës dhe përfundimisht në atë që kemi përzgjedhur, si përpjesën më të qëndrueshme, midis dimensioneve të ndryshme që do të përmbajë: 55% hapësira sportive, 35% hapësira shërbimesh dhe 10% akomoduese, është ndarja që ka rezultuar më optimale, karshi të gjitha të tjerave, për Fshatin Olimpik të Prishtinës.

Ndërtimi i këtij fshati do të mundësojë zhvillimin e 21 disiplinave olimpike, brenda kompleksit. Po ashtu, parashihet që Fshati Olimpik i Prishtinës t’iu shërbejë 211 klubeve sportive të kryeqendrës, 307 në nivel vendi dhe mbi 500 klubeve sportive në rajon. Në këtë mënyrë, Prishtina bëhet pashmangshëm një prej qendrave më të rëndësishme sportive të rajonit.

Ndërtuar në pjesën qendrore, zona e sportit përbëhet nga disa ngrehina, siç është stadiumi, arena e sporteve ujore, salla e sporteve me dorë, ajo e sporteve luftarake, fushat e tenisit dhe ato për atletikë, si dhe hapësirat tjera ndihmëse sportive. Dominant për nga madhësia, stadiumi do të jetë një nga kryeveprat arkitekturore të qytetit. Përveç ngrehinës qendrore, e cila do të ndërtohet duke pasur në mendje zhvillimin teknologjik dhe që do të ketë 25 mijë ulëse, do të ketë edhe dy fusha tjera stërvitore, me bar natyral.

Afër stadiumit do të jetë kompleksi i pishinave olimpike, që do të ndërtohet në përputhje me kriteret më të larta ndërkombëtare, për t’u kthyer në një nga ambientet më të rëndësishme në rajon për sporte ujore. Përgjatë Lojërave Mesdhetare 2030, ky kompleks i përbërë nga një pishinë e brendshme dhe dy pishina të jashtme do të jetë hapësira kryesore në të cilën do të zhvillohen garat e sporteve ujore.

Një prej sporteve më të rëndësishme, të cilit deri tani në vend i ka munguar infrastruktura, do të ketë kompleksin e tij brenda kësaj qendre. Për të përmbushur kërkesat e evenimentit do të ndërtohet një fushë qendrore e tenisit, që natyrshëm do të jetë pika fokale e përballjeve në këtë sport dhe që do të ketë 2 mijë e 500 ulëse, si dhe gjashtë fusha të tjera, secila me nga 200 ulëse për tenis-dashësit. Përveç tenisit, fusha qëndrore ka parametra të atillë që mundëson luajtjen brenda saj edhe të ndeshjeve të hendbollit, volejbollit dhe futbollit të vogël.

Në anën tjetër të qendrës do të jetë e vendosur qendra e sporteve me dorë dhe ajo e sporteve luftarake. Hapësira qendrore e sporteve me dorë, ku do të luhen të gjitha ndeshjet në basketboll, hendboll dhe volejboll do të ketë kapacitet maksimal prej 8 mijë ulësesh dhe duke qenë e ndërtuar me standardet më të larta, hapësirat e saj do të jenë të përdorshme në variante të ndryshme.

Arena e sporteve luftarake, e vendosur në krah të asaj të sporteve me dorë, do të ketë kapacitet për 7 mijë shikues dhe pas përfundimit të Lojërave Mesdhetare synohet të kthehet në qendrën e munguar të nivelit më të lartë, për të gjithë sportistët e këtyre disiplinave që ka vendi. Atletika dhe disa sporte të tjera, përfshirë çiklizmin dhe 3×3 basketbollin, do të zhvillohen në fushat e hapura, të cilat kanë kapacitet maksimal prej 5 mijë ulësesh.

Ngrehinat administrative, të cilat përveç që para dhe gjatë lojërave do të jenë plot me staf drejtues apo mbështetës për “Prishtina 2030”, pas mbarimit të tyre, mund të pranojnë fakultete, institucione dhe entitete të tjera sportive. Ato komerciale, të përbëra nga qendra tregtare, hoteli dhe hapësira të tjera shoqëruese, i sigurojnë qëndrueshmëri afatgjatë gjithë zonës. Ndërkaq, ato akomoduese do të bëjnë të mundur që Lojërat Olimpike Mesdhetare “Prishtina 2030” të mbahen duke respektuar standardet më të larta për të gjithë sportistët pjesëmarrës.

Krejt këto janë të lidhura me shtigje të gjelbra, që përshkojnë parqe e sheshe dhe midis tyre një liqe, duke e kthyer zonën në një seri hapësirash rekreative. Për ta ruajtur këtë vazhdimësi, pothuaj i gjithë trafiku dhe parkimi i makinave brenda fshatit do të bëhet nën tokë. Pra, lëvizja mbi tokë e makinave do të jetë vetëm perimetrike, me hyrje dhe dalje të mirëorganizuara.

Një tërësi që funksionon. Një Fshat Olimpik që Prishtinës i jep një tjetër dimension. Atë të një qyteti modern. Të një qyteti të së ardhmes.

Të mërkurën hapet ekspozita me projektet për sheshin monumental “Adem Jashari”

Projektet e parakualifikuara në konkursin ndërkombëtar për sheshin monumental në nderim të sakrificës së Adem Jasharit dhe familjes Jashari do të nxirren para publikut në trajtën e një ekspozite e cila do të hapet të markurën e datës katër të shtatorit.

Pesë projektet, të cilat pas vlerësimit të kujdesshëm të një numri të konsiderueshëm aplikimesh, juria profesionale i kishte përzgjedhur si më të mirat, do të shfaqen për një javë rresht në objektet e Komunës së Prishtinës.

Konkursi ka qenë i hapur për të gjithë artistët, piktorët, arkitektët, dizajnerët grafik, fotografët, artizanët, studentët dhe profesionistët. Në thirrjen për aplikim është sqaruar se qëllimi është që sheshi ta ketë pjesë thelbësore monumentin e qëndresës, guximit dhe lavdisë së Adem Jasharit dhe familjes Jashari, si një prej themeleve të rëndësishme të lirisë së vendit.

Monumenti synon të nderojë përkushtimin, guximin dhe sakrificën e palëkundur të Adem Jasharit dhe familjes së tij gjatë luftës së Kosovës për pavarësi dhe të shërbejë si një kujtesë e fuqishme për rolin e tyre kryesor në lëvizjen çlirimtare dhe përkushtimin e tyre ndaj kauzës kombëtare.

Hapja e ekspozitës, në të cilën projektet të cilat kanë kaluar në fazat përfundimtare të vlerësimit nga juria, do të bëhet në ora 16:00. Ekspozita do të mbetet e hapur deri më datë 11 të muajit shtator.

Vizioni që Prishtinës po i jep pamjen e një qyteti modern

Trajektorja e transformimit urban është ndikuar nga një mori faktorësh që variojnë nga risitë teknologjike dhe ndryshimet ekonomike globale te dinamikat sociopolitike dhe konsideratat mjedisore. Brenda kësaj rrjete komplekse, një aspekt shfaqet veçanërisht i dallueshëm: nocioni i qytetit si një rrëfim. Krijimi i këtij rrëfimi kërkon një ekuilibër të ndërlikuar midis njohjes së trashëgimive historike, përqafimit të realiteteve të ditëve të sotme dhe parashikimit të sfidave dhe mundësive të ardhshme.

Teksa linjat midis lokales dhe globales bëhen gjithnjë e më vështirë të dallueshme, rrëfimet e qyteteve kanë potencialin të frymëzojnë shumë përtej kufijve të tyre gjeografikë. Këto rrëfime formësojnë perceptimet, ndikojnë në vendime dhe luajnë një rol kyç në pozicionimin e qyteteve në një rrafsh më të gjerë.

Prandaj, përpjekja që ndërmerret përmes këtij projekti, në thelb, lidhet me ndryshimin e paradigmës dhe kalon përtej dimensionit infrastrukturor, në njëlloj përtrirjeje socio-kulturore. Thënë ndryshe, riformësimi i Prishtinës, i nxjerrë nga kufizimet fizike, paralelizon një diskurs më të gjerë në çështjet urbane, atë të qyteteve si rrëfime.

Në një epokë që përvijohet nga globalizmi dhe lidhja dixhitale, rezonanca e rrëfimeve urbane është zgjeruar shumë. Rrjedhimisht, kapërcimi paradigmatik që mëton ta bëjë Prishtina, kalon rëndësinë lokale, duke marrë përmasa shumë më të gjera. Rrjedhimisht, kjo lëvizje e Prishtinës në një trajektore të pakthim zhvillimi ravijëzon një temë të gjerë në çështjet urabne: qyteti si diçka e gjallë dhe në zhvillim, si dhe lë të dokumentuar bashkëdyzimin e zhvillimit urban dhe të rrëfimit për të.

Vendimet e marra nga pushtetet, mbështjellur me ekskluzivitet, e kanë shkëputur qytetin nga qytetari. Dhe kur qytetarët ndihen të shkëputur nga vendimet që ndikojnë në jetën e tyre të përditshme, qyteti pushon së qeni pasqyrim i aspiratave kolektive, dhe për pasojë kthehet në infrastrukturë jopersonale, pa gjallërinë dhe dinamizmin që, një qytet si Prishtina, me histori dhe kulturë të pasur, e ka. Përveç aspektit shpirtëror, kjo qasje e cenon edhe funksionalitetin, sepse pa konsultim gjithëpërfshirës, secili qytet e ka të vështirë t’i plotësojë nevojat e ndërlikuara dhe të shumëanshme të banorëve të tij. Në këtë kontekst, “Arkitekti i kryeqytetit” e njeh këtë problematikë dhe Prishtinën – diskutimin dhe punën për të – ta bëjë gjithëpërfshirëse. Pra, që qytetarët të mos jenë thjesht vëzhgues pasivë, por pjesëmarrës aktivë në transformimin e qytetit. Duke kërkuar në mënyrë aktive opinionet e tyre, duke vlerësuar kritikat e tyre dhe duke përfshirë komentet e tyre, ky projekt synon të krijojë një Prishtinë që vërtetë rezonon me njerëzit e saj.

Përfitimet e një qasjeje të tillë janë të shumëfishta. Përtej krijimit të një qyteti që është funksionalisht i përshtatur me nevojat e banorëve të tij, ai nxit një ndjenjë më të fortë të përkatësisë komunitare. Kur njerëzit e ndjejnë veten “hisedarë” në vendin ku jetojnë, ata jo vetëm që përshkohen nga një ndjenjë më të thellë përkatësie, por gjithashtu bëhen më të kujdesshëm në raport me të. Pra, kjo ndjenjë e përgjegjësisë kolektive mund të prodhojë një mori rezultatesh pozitive, që e ndikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë cilësinë e jetës. Në thelb, duke ia kthyer Prishtinën banorëve të saj, ne nuk jemi thjesht duke ridizajnuar hapësirat urbane, por po rigjejmë vetë frymën e qytetit.

Për një kohë të gjatë, kryeqyteti është përballur me një sërë sfidash urbane, të cilat e kanë lënë në hije potencialin e brendshëm. Problemet me trafikun, infrastruktura e dobët dhe jofunksionale, planifikimi i munguar urban, mungesa e hapësirave të gjelbra dhe rekreative, e kanë sforcuar shumë jetën, e cila luhatet midis shpresës dhe vështirësisë. Përtej tyre, vështirësitë sezonale, me ujin gjatë verës dhe ngrohjen gjatë dimrit, e bëjnë akoma më të nderë gjendjen. Në të njëjtën kohë, sheshet, hapësirat për fëmijë dhe mjediset arsimore, jashtë çdo standardi, e ngjyrosin gri të ardhmen e qytetit.

Megjithatë, ky shtresëzim problemesh nuk është thjesht numërim i dështimeve, por thirrje e qartë për veprim konkret. Dhe “Arkitekti i kryeqytetit” e kupton si përkushtim për shndërrimin e Prishtinës nga një qytet që ekziston në një qytet që jeton; në një qytet funksional, dhe që nuk është vetëm shumësi e ndërtesave të larta dhe rrugëve të asfaltuara, por një organizëm, secili aspekt i të cilit vepron në sinkron, në funksion të mirëqenies kolektive. Transformimi i Prishtinës, përtej përtrirjes urbane, ka të bëjë edhe me ekzistencën e qytetit. Sepse pamundësia për t’u bërë qytet funksional do të thotë jo vetëm vendnumërim, por edhe bllokim. Mirëpo, vetë projekti, dhe shpirti prishtinas, në një përpjekje të përbashkët, janë garanci e një të ardhmeje më të mirë.

Prishtina ka nevojë për dëshirë dhe guxim kolektiv, për të menduar dhe ëndërruar një të ardhme më të mirë, në një qytet që u shërben dhe i plotëson nevojat e qytetarëve dhe për qytetari që kujdeset dhe e projekton të nesërmen aty. Të riimagjinosh Prishtinën do të thotë fillimisht të përqafosh rëndësinë e një ëndrre kaq të guximshme dhe të shikosh përtej sfidave. Kjo buron nga vetëdija kolektive se qyteti nuk është thjesht një hapësirë, por një qenie e gjallë, që evoluon me ëndrrat dhe aspiratat e banorëve të tij.

Megjithatë, vetëm të ëndërrosh nuk mjafton. Vizionet transformuese duhet të kombinohen me plane vepruese. Planifikimi urban, duke integruar si inovacionin ashtu edhe qëndrueshmërinë, qëndron në themel të këtij procesi. Rrugët dhe bulevardet që në fokus kanë këmbësorin, hapësirat e gjelbra, qendrat kulturore, dhe gjithçka tjetër, të projektuara me kujdes, kalojnë përtej nevojës për qytet funksional, në rrafshin emocional.

Për më tepër, këto ëndrra duhet të jenë gjithëpërfshirëse, të nxjerra nga vetë struktura e banorëve të Prishtinës. Platformat bashkëpunuese që përforcojnë zërin e çdo qytetari, nga të rinjtë entuziastë e deri te të moshuarit si kujtesë historike, janë të rëndësisë së veçantë. Sugjerimet, kritikat dhe komentet e tyre janë të paçmueshme në këtë rrugëtim. Ky rrugëtim transformues nuk paraqet thjesht një nismë për ndërrim të formës, por është në thelb i lidhur me përmbajtjen, në mënyrë që qyteti të bëhet funksional dhe i të gjithëve, njëherësh.

Fshati Olimpik, një e ardhme për sportin kosovar

Prishtina do të jetë qendra ballkanike e sportit në vitin 2030. Organizimi i Lojërave Olimpike Mesdhetare, të cilat i fituam vitin e kaluar, e garanton këtë status. Kjo ka bërë të nevojshme përshpejtimin e planeve për Kampusin e Sporteve, që do të marrë formën dhe titullin e Fshatit Olimpik. Në një hapësirë prej 60 hektarësh, janë paraparë hapësira sportive, administrative dhe afariste, si dhe akomodimi, të cilat janë të ndara në tre zona që komunikojnë mes vete përmes lëvizjes në këmbë dhe me biçikletë mbi tokë, ndërsa nëntokë janë paraparë parkingjet për makina. Sallat për sporte të ndryshme, stadiumi qendror dhe fushat ndihmëse janë vendosur në qendër të këtij projekti madhor. Në njërën anë janë hapësirat rezidenciale për sportistët, dhe në anën tjetër janë hapësirat administrative, ku do të vendosen federatat sportive dhe ato afariste, duke i dhënë gjallëri gjithë zonës.

Lojërat Mesdhetare janë një festë e madhe e sportit dhe kulturës, që nxjerr në pah fuqinë përbashkuese të sportit, që prej antikitetit. Organizimi i tyre në Prishtinë më 2030 e tejkalon këtë përkufizim, duke marrë trajtën e një tjetër arritjeje të rëndësishme në zhvillimin urban dhe shoqëror. Përmes të qenit nikoqire e atyre lojërave, kryeqendra e Kosovës mëton të shndërrohet në një qytet modern, të zhvilluar ekonomikisht dhe të ndërlidhur e interesant për të huajt. Përgatitjet për këto lojëra paraqesin një prej ndërmarrjeve më të mëdha në vend, në një sërë rrafshesh dhe shërbejnë si pikëpjekje midis ambicies, inovacionit dhe përkushtimit për qytetin e së ardhmes. Synimi i këtij projekti madhor është nxjerrja e Prishtinës në harën e qyteteve të rëndësishme botërore të sportit, me veçanti urbanistike dhe mikpritje të dallueshme.

Një aspekt tjetër i rëndësishëm i këtij projekti është edhe ai ekonomik. Përmes projekteve të ndërtimit dhe punëve të tjera që ndërlidhen me to, stimulohet punësimi i banorëve të zonave përreth, gjë që në mënyrë të tërthorë injekton para në ekonominë e qytetit. Pas mbarimit të lojërave, një pjesë e hapësirave parashihet të adaptohen dhe riorganizohen për përdorim nga komuniteti, duke bërë të mundur që i gjithë kompleksi të ketë shfrytëzueshmëri dhe levërdishmëri në afat të gjatë kohor. Për këtë projekt kaq të rëndësishëm është qenësor parimi i qëndrueshmërisë, ashtu që të gjitha ndërtimet t’i plotësojnë kushtet më rigoroze mjedisore. Prej ndërtesave që minimizojnë harxhimin e energjisë elektrike, tek sistemet e menaxhimit të mbetjeve që promovojnë riciklimin, çdo aspekt i Fshatit Olimpik është i menduar për ta ulur ndikimin në mjedis.

Në rrafshin arkitekturor, për ndërtimin e Fshatit Olimpik premisa të rëndësishme janë inovacioni dhe funksionaliteti, veçanërisht në ndërtimin e disa ngrehinave sportive të domosdoshme për zhvillimin e lojërave. Në zemër të projektit parashihet të vendoset stadiumi i futbollit, i cili përveç rolit qendror në hapjen dhe mbylljen e Lojërave Mesdhetare, pas mbarimit të tyre do të kthehet në arenën më të rëndësishme futbollistike të vendit. Krahas stadiumit, një hapësirë shumë e munguar si ajo e sporteve ujore, me përmasa olimpike, do të mirëpresë garat e notit, zhytjes dhe water polo-s. Me mbarimin e Lojërave Mesdhetare, këto hapësira do të mund të kalojnë në shërbim të komunitetit dhe të federatave përkatëse, për t’i dhënë një shtytje të re sporteve ujore.

Po ashtu parashihet ndërtimi i një salle të sporteve me dorë, që përveç për sportet si basketbolli, hendbolli e volejbolli, do të ishte e përshtatshme edhe për gjimnastikë dhe atletikë në hapësira të mbyllura. Kjo hapësirë do të ishte shumë-përdorimëshe dhe lehtë e përshtatshme për një numër të madh sportesh. Në këtë rast, fokusi do të vihet tek arkitektura modulare, në mënyrë që kjo hapësirë të mund t’i shërbejë infrastrukturës sportive të qytetit për një kohë relativisht të gjatë. Në Masterplan, pjesë e rëndësishme është edhe ndërtimi i disa fushave të tenisit, me një fushë qendrore, që po ashtu do të mund të përdoret edhe për sporte të tjera si hendbolli, volejbolli dhe futbolli i vogël. Meqë sportet luftarake janë ndër më të zhvilluarat në vend, me theks të veçantë xhudo, karate dhe boksi, parashihet ndërtimi i një salle të standardeve ndërkombëtare, me të gjitha hapësirat e nevojshme, ku do të zhvillohen garat për Lojërat Mesdhetare dhe më pas të organizohen gara rajonale dhe europiane.

Në tërësinë e tij, Fshati Olimpik është një projekt madhështor që prek sferën ekonomike, shoqërore dhe mjedisore. Qëllimi është që ky kampus të kthehet në një nga hapësirat më të rëndësishme sportive në rajon, duke krijuar vlerë të shtuar për komunitetin dhe për vetë qytetin. Hapësirat administrative, komerciale dhe rezidenciale, që gjatë mbajtjes së garave do të jenë plotësisht në funksion të tyre, pas mbarimit do të jenë në shërbim të komunitetit dhe të vetë kampusit olimpik. Kjo e bën Prishtinën e së ardhmes një kryeqytet të sportit, që është vizioni ynë.

Udhëkryqi – zgjidhja e nyjës kritike për trafikun e kryeqytetit

Për ta përmirësuar situatën e trafikut të ngarkuar në kryeqytet, krahas intervenimeve të shumta në rrugë të ndryshme, një nyjë problematike që kërkon trajtim të menjëhershëm është edhe Udhëkryqi mbi “Gorenje”, aty ku ndërlidhet rruga “Nekibe Kelmendi” drejt Prishtinës së re, Veterniku në pjesën tjetër, si dhe daljet për në Hajvali e Gjilan.

Ngarkesa e trafikut në këtë pikë, kolonat e gjata drejt hyrjes për në Prishtinë, janë problem për automjetet, trafikun urban dhe këmbësorët. Pas matjeve dhe analizave të shumta në terren, ekipi ynë i ekspertëve dhe inxhinierëve të trafikut, ka ofruar zgjidhjen teknike optimale.

Ky propozim parasheh ndërtimin e një udhëkryqi të ri, që ndër të tjera, i eliminon fytet e ngushta, dhe krijon lidhje të lehta me rrugët anësore në të gjitha drejtimet. Duke shfrytëzuar software-in për simulim, zgjidhja u testua dhe funksionon edhe nëse trafiku në këtë pikë rritet për 30%, për 60% ose madje 100%.

Për më tepër, projekti përfshin ndërtimin e korsive të veçanta për lëvizjen e automjeteve, duke krijuar një rrjedhë të pandërprerë dhe më efikase të trafikut. Ky riorganizim do të eliminojë pikat e ngushta dhe do të përmirësojë dukshëm rrjedhën e trafikut, duke zvogëluar kohën e pritjes dhe duke lehtësuar lëvizjen në këtë nyjë të rëndësishme të kryeqytetit.

Gjithashtu, duke pasur parasysh sigurinë e këmbësorëve dhe efikasitetin e transportit publik, projekti do të përfshijë edhe korsitë e dedikuara për këto kategori. Kjo do të krijojë një mjedis më të sigurt dhe të organizuar për të gjithë përdoruesit e rrugës.

Kjo zgjidhje është ideale për këtë pikë për 20 ose 30 vitet e ardhshme, dhe trajtimi i çdo pike problematike të trafikut është prioritet për ta transformuar Prishtinën në kryeqytet të së ardhmes. Investimi në infrastrukturën moderne dhe të qëndrueshme është thelbësor për zhvillimin afatgjatë të qytetit dhe përmirësimin e cilësisë së jetës për të gjithë banorët.

 

Zgjidhja përfundimtare për problemin e trafikut në kryeqytet

Trafiku i mbingarkuar ka qenë për një kohë të gjatë problematikë me të cilën është përballur kryeqyteti. Një telash i madh, të cilin nuk mund ta linim pa i dhënë zgjidhje. Fillimisht na duhej të dinim sa makina hyjnë e dalin dhe sa qarkullojnë rrugëve të Prishtinës.

Kemi vendosur 18 kamera në rrugët dhe udhëkryqet kryesore të qytetit. Dhe për dy javë rresht e kemi kemi matur trafikun, përgjatë 24 orëve. Tani e dimë që 140 mijë makina hyjnë brenda ditës në qytet. Prej tyre, 13 mijë vetëm gjatë orës kulmore, nga të cilat 9 mijë qarkullojnë vetëm në unazën e brendshme.

Për pasojë, pritet mesatare në semaforë kanë dalë të jenë 298 sekonda për automjet. Pra, mijëra euro humbje ditore në karburant. Dhe dhjetëra e qindra mijëra të tjera në orë pune.
Krejt këto i takojnë të shkuarës.

Zgjidhja e problemit të trafikut nga SHAK-u bën të mundur që pritja në semafor të zvogëlohet për 95%, shpenzimet e karburantit për 80% dhe që shpejtësia mesatare e lëvizjes të rritet nga 12 km/h sa ishte, në 37 km/h.

Pra, një qark i plotë në unazën e brendshme të qytetit, e cila paraprakisht zgjaste 55 minuta, tani kryhet për 12 minuta. Kjo e zgjidh përfundimisht problemin e trafikut të ngarkuar në kryeqytet.

Nënkalimet dhe mbikalimet, zgjidhja për Prishtinën e së ardhmes

Bulevardet dhe sheshet e reja në njërën anë dhe riorganizimi i trafikut në anën tjetër e bëjnë të domosdoshëm eliminimin e pikave të konfliktit midis këmbësorëve dhe makinave. Për këtë arsye, po ndërtojmë nënkalime për makina dhe mbikalime për këmbësorë.

Mbikalimet që lidhin mbi 50 mijë banorë të kryeqytetit në këmbë janë po ashtu në plan. Njëri prej tyre, që nis në lagjen Arbëria dhe përfundon tek Pallati i Rinisë, është më shumë se një mbikalim – është një platformë shumëfunksionale ku ndërthuren shtigjet për këmbësorë, ato për biçikleta, parqet dhe hapësirat e gjelbra. Përfundi të tij kemi krijuar disa mijëra metra katror hapësira afariste, për ta bërë të vetqëndrueshëm, dhe së shpejti do të dalë në tender publik.

Përmes pasarelës që e lidh Pallatin e Rinisë me Hotelin Grand, një projekt i vjetër që po bëhemi gati ta realizojmë, krijohet një tjetër lidhje me Bulevardin Qendror. Ky projekt jo vetëm që do të lehtësojë qarkullimin e këmbësorëve por do të kontribuojë edhe në zhvillimin urban të zonës, duke e bërë më të lehtë dhe më të sigurt kalimin e banorëve nëpër qytet.

Ngjashëm, edhe mbikalimi në Aktash do të shërbejë si një platformë shumëfunksionale. Ky mbikalim do të ofrojë një park për banorët e asaj zone dhe një amfiteatër të hapur për studentët e fakulteteve aty pranë. Gjithashtu, ai do të krijojë një lidhje të rëndësishme për mbi 25 mijë banorë të lagjes me qendrën e qytetit, duke përmirësuar ndjeshëm infrastrukturën e zonës.

Këto projekte janë urat drejt të ardhmes. Drejt Prishtinës së së ardhmes. Ato janë pjesë e një plani të gjerë për ta transformuar kryeqytetin në një qytet modern, funksional dhe të qëndrueshëm. Investimet në këto mbikalime dhe nënkalime nuk janë vetëm për të zgjidhur problemet e trafikut të tanishëm, por për të ndërtuar një infrastrukturë që do të përballojë nevojat e një qyteti në rritje për shumë vite që do të vijnë.

 

01

04

LinkedIn

Twitter

Facebook

Instagram

admin@shak.archi

+383-44-111-222

Twitter

Adresa

SHËRBIMI I ARKITEKTIT TË KRYEQYTETIT

SHËRBIMI I ARKITEKTIT TË KRYEQYTETIT

Kontakti: