Nënkalimet dhe mbikalimet, zgjidhja për Prishtinën e së ardhmes

Bulevardet dhe sheshet e reja në njërën anë dhe riorganizimin i trafikut në anën tjetër e bëjnë të domosdoshëm eliminimin e pikave të konfliktit midis këmbësorëve dhe makinave. Për këtë arsye, po ndërtojmë nënkalime për makina dhe mbikalime për këmbësorë.

Mbikalimet që lidhin mbi 50 mijë banorë të kryeqytetit në këmbë, po ashtu. Ai që nis në lagjen Arbëria dhe përfundon tek Pallati i Rinisë dhe që më tepër se mbikalim është një platformë shumëfunksionale ku ndërthuren shtigjet për këmbësorë, ato për biçikleta, parqet dhe hapësirat e gjelbra, përfundi të cilit kemi krijuar disa mijëra metra katror hapësira afariste, për ta bërë të vetqëndrueshëm, shpejt do të dalë në tender publik.

Përmes pasarelës, që e lidh Pallatin e Rinisë me Hotelin Grand, një projekt i vjetër, të cilin nga tavolina e punës po bëhemi gati që ta bëjmë realitet, krijohet një tjetër lidhje me Bulevardin Qendror.

Ngjashëm edhe përmes mbikalimit në Aktash, platformë që do t’u shërbejë si park banorëve të asaj zone, si një amfiteatër i hapur studentëve të fakulteteve dhe si lidhje e mbi 25 mijë banorëve të lagjes me qendrën e qytetit. Këto janë urat drejt të ardhmes. Drejt Prishtinës të së ardhmes.

Zgjidhja përfundimtare për problemin e trafikut në kryeqytet

Trafiku i mbingarkuar ka qenë për një kohë të gjatë problematikë me të cilën është përballur kryeqyteti. Një telash i madh, të cilin nuk mund ta linim pa i dhënë zgjidhje. Fillimisht na duhej të dinim sa makina hyjnë e dalin dhe sa qarkullojnë rrugëve të Prishtinës.

Kemi vendosur 18 kamera në rrugët dhe udhëkryqet kryesore të qytetit. Dhe për dy javë rresht e kemi kemi matur trafikun, përgjatë 24 orëve. Tani e dimë që 140 mijë makina hyjnë brenda ditës në qytet. Prej tyre, 13 mijë vetëm gjatë orës kulmore, nga të cilat 9 mijë qarkullojnë vetëm në unazën e brendshme.

Për pasojë, pritet mesatare në semaforë kanë dalë të jenë 298 sekonda për automjet. Pra, mijëra euro humbje ditore në karburant. Dhe dhjetëra e qindra mijëra të tjera në orë pune.
Krejt këto i takojnë të shkuarës.

Zgjidhja e problemit të trafikut nga SHAK-u bën të mundur që pritja në semafor të zvogëlohet për 95%, shpenzimet e karburantit për 80% dhe që shpejtësia mesatare e lëvizjes të rritet nga 12 km/h sa ishte, në 37 km/h.

Pra, një qark i plotë në unazën e brendshme të qytetit, e cila paraprakisht zgjaste 55 minuta, tani kryhet për 12 minuta. Kjo e zgjidh përfundimisht problemin e trafikut të ngarkuar në kryeqytet.

Të premten mbahet Konferenca për njëvjetorin e punës së SHAK-ut

Puna njëvjeçare e Shërbimit të Arkitektit të Kryeqytetit do të prezantohet në konferencën e organizuar në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës, e cila do të mbahet në Kino Armata.

Dhjetëra projekte të rëndësishme për zhvillimin e qytetit, në të cilat për një vit ka punuar Shërbimi i Arkitektit të Kryeqytetit, do të prezantohen në këtë konferencë.

Konferenca do të jetë e hapur për të gjithë të interesuarit, të cilët për të qenë pjesëmarrës do të duhet të regjistrohen midis orës 08:00 dhe 08:45.

Prezantimet do të hapen me fjalën hyrëse të kryetarit të komunës, Përparim Rama, në ora 09:00 dhe pjesa e parë e konferencës do të vazhdojë deri në ora 13:00.

Konferenca do të vazhdojë në ora 14:00, me pjesën e mbetur të prezantimeve, në fund të të cilave kryetari Rama do të jetë i hapur për të pranuar pyetje nga gazetarët.

Arkitekti i Kryeqytetit dhe Një Vizion i Ri për Prishtinën

Shkruan: Përparim Rama

 

Si Kryetar i Prishtinës, mbaj barrën dhe privilegjin e një detyre të rëndësishme, për të cilën qytetarët më kanë besuar me votën e tyre. Përveç obligimeve të përditshme dhe përmbushjes së premtimeve, kjo detyrë më jep mundësinë për të treguar arritjet dhe planet tona për të ardhmen. Por, më e rëndësishmja, ajo që bën diferencën është koncepti i Arkitektit të Kryeqytetit – një institucion kyç që ndihmon në krijimin e një narrative të re për qytetin tonë. Duke harmonizuar të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen, Shërbimi i Arkitektit të Kryeqytetit luan një rol të pazëvendësueshëm në ndërtimin e një Prishtine më të mirë për të gjithë.

Të qenit i zgjedhur me votë, përveç barrës dhe privilegjit, ka një tjetër dimension të ndryshëm nga gjithçka tjetër: rikujtimin. Nuk mund të harrosh asnjëherë që të kanë zgjedhur dhe që, mu për këtë arsye, ke disa obligime të cilat i ke marrë që atë ditë.

“Kryetar, po kjo… është një prej togfjalëshave që të bie t’i mësosh përmendësh, i cili në të shumtën e rasteve shoqërohet me pyetje për ndonjë punë që po kryhet a ndonjë projekt të premtuar. Ta thonë të gjithë, përditë dhe kudo. Dhe, ndryshe nga ç’mund të duket në pamje të parë, kjo nuk është një diçka që dua ta shmang. Përkundrazi, është një mundësi. Një rast për të treguar atë që kemi bërë, po bëjmë dhe do të bëjmë, më shpejt dhe më mirë se kushdo tjetër, për Prishtinën. Asnjë qyteti dhe veçanërisht një kryeqyteti, sado i madh apo i vogël të jetë, s’i mungojnë asnjëherë rrëfimet dykohëshe: për të tashmen dhe të shkuarën.

Si jemi? Dhe, si ishim?

Të dy këto janë pyetje të thjeshta, të cilave, shpeshherë, mjafton kujtesa për t’u kthyer përgjigje. Sepse njerëzit i prekin përditë dhe janë në memorien e çdonjërit, të të gjithëve së bashku. Atë që plot qytete s’e kanë dhe sa më i vogël të jetë qyteti aq më i vështirë, madje i pamundur, ngjan të menduarit dhe ndërtimi i tij, është rrëfimi për të ardhmen. Krijimi i tij kërkon një ekuilibër të ndërlikuar midis njohjes së

trashëgimive historike, sfidave të së sotmes dhe mundësive për të ardhmen. Dhe, më tepër se gjithçka tjetër, njohjen e qytetit, të njerëzve të tij. Prishtinasve dhe vetë Prishtinës i duhet një kapërcim i tillë, që del nga përshkrimi I çfarë jemi e çfarë ishim, për të ravijëzuar çfarë do dhe duhet të jemi, përtej dimensioneve e kufizimeve fizike, duke krijuar kështu një diskurs më të gjerë në çështjet urbane, atë të qytetit si rrëfim trekohësh. Prandaj, Prishtina e së ardhmes, më tepër se togfjalësh, që merr trajtën e një slogani politik, është nevojë dhe domosdoshmëri për qytetarët e saj. Për vetë ekzistencën dhe vijimësinë e të qenit qyteti më i rëndësishëm i vendit (duke synuar që të mos mbetet thjesht i tillë), në kontekste të reja dhe në transformim të vazhdueshëm, madje.

Ne duam dhe punojmë përditë që prishtinasit të ndjehen krenarë për qytetin, që është i tyre jo thjesht ngaqë jetojnë në të, por sepse ata janë bashkëkrijues të një rrëfimi të ri për Prishtinën. Është një rrugë e vështirë dhe me plot sfida, kjo që kemi nisur para gati njëmijë ditësh. Mirëpo, jemi të pamëdyshje në këtë ecje tonën përpara, së bashku me ju, ngaqë jemi të bindur se, vetëm kështu, qyteti të cilin e duam, do të bëhet qytetitë cilin do ta duan dhe qyteti i duhur për fëmijët, mbesat dhe nipërit tanë.

Do Ecim bashkë, drejt qytetit në të cilën 200 mijë prishtinas do të mund të arrijnë në sheshet e qytetit, pa asnjë pengesë. Bulevardi qendror i qytetit, që prej sheshit të Flamurit deri tek qyteti i vjetër, që do t’ua kthejë qytetin qyetarëve, do t’i lidhë të gjithalagjet e qytetit. Për ta bërë të mundur këtë po punohet për mbikalimet në lagjen Arbëria dhe rrugën “Agim Ramadani”; nënkalimet në rrugën “Agim Ramadani” dhe në udhëkryqin e sheshit “Xhorxh Bush”; pasarelën e Hotelit Grand dhe riorganizimin e tërësishëm të trafikut në qytet. Këmbësorët do të jenë të parët, por as shoferët nuk do të presin më me orë në trafik.

Në epokën digjitale nuk ka arsye të humben orë të tëra duke pritur në radhë. Ecja jonë digjitale nënkupton që, për të gjitha shërbimet të cilat tani merren në komunë, do të krijohen mundësi të realizimit online. Edhe kur ato janë shumë më teknike, siç kemi bërë me platformën “e-Leja”, përmes së cilës mund të realizohet aplikimi dhe marrja e kushteve dhe lejeve ndërtimore në mënyrë krejtësisht digjitale dhe të cilës ia kemi bashkëngjitur edhe nënshkrimin digjital përmes “e-Nënshkrimi”, si dhe mundësinë e përcjelljes së krejt procesit duke përdorur “e-Përcjellja”. Po presim të na e japin lejen, që t’ua japim juve “e-Lejen”. Kemi digjitalizuar ndërtesa të rëndësisë së veçantë historike dhe po e digjitalizojmë krejt qytetin. Që ta keni dhe ta përdorni ju – të gjithë.

Bashkë me ju kemi arritur të bëhemi qyteti mikpritës i Lojërave Olimpike Mesdhetare. Është duke u punuar fort që, për këtë dhe të ardhmen e sportit prishtinas, të kryhet Masterplani i Fshatit Olimpik dhe kështu Prishtina të kthehet në referencë ballkanike të sportit. Por, jo vetëm kaq. Të kulturës dhe artit, përmes projektit të Tulltores. Dhe, në një destinacion turistik, përmes ndërhyrjeve restauruese në pjesën e vjetër të qytetit.

Asnjëra nga këto nuk janë ndërmarrje të lehta. Njëmijë e një sfida e pengesa duhen kaluar. Por, politika është shërbim ndaj qytetarit. Dhe që të mund t’u shërbejmë në të sotmen, duke menduar për të ardhmen, ne nuk mund të jemi të vetëm. Për këtë kemi marrë dhe marrim ndihmë profesionale nga ata që janë shumë dhe që ju i njihni për një – si arkitekti i kryeqytetit, dhe që mblidhen të gjithë nën emërtimin Shërbimi i Arkitektit të Kryeqytetit. Qindra njerëz punojnë në të gjitha e për të gjitha projektet që i përmenda më lart. Për një rrëfim të ri për qytetin. Për Prishtinën e së ardhmes.

Për ju!

Përfundim

Një qytet nuk është thjesht një vendndodhje gjeografike, por një rrëfim i gjallë që përfshin historinë, të tashmen dhe ëndrrat për të ardhmen. Përmes bashkëpunimit dhe vizionit të përbashkët, ne po ndërtojmë një Prishtinë që reflekton krenarinë dhe shpresat e qytetarëve të saj. Në këtë rrugëtim, roli i Arkitektit të Kryeqytetit është thelbësor, duke siguruar që transformimi urban të jetë i mirëplanifikuar dhe i qëndrueshëm. Me përkushtim dhe përpjekje të përbashkëta, ne po e kthejmë Prishtinën në një qytet që jo vetëm që plotëson nevojat e sotme, por qëndron si një model për brezat e ardhshëm. Kjo është Prishtina e së ardhmes, një qytet i ndërtuar nga dhe për qytetarët e tij.

Ju mirëpres të gjithëve ditën e premte në Konferencën për Shërbimin e Arkitektit të Kryeqytetit ku do të prezantojmë projektet dhe punët e deritashme.

Të premten mbahet Konferenca për njëvjetorin e punës së SHAK-ut

Puna njëvjeçare e Shërbimit të Arkitektit të Kryeqytetit do të prezantohet në konferencën e organizuar në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës, e cila do të mbahet në Kino Armata.

Dhjetëra projekte të rëndësishme për zhvillimin e qytetit, në të cilat për një vit ka punuar Shërbimi i Arkitektit të Kryeqytetit, do të prezantohen në këtë konferencë.

Konferenca do të jetë e hapur për të gjithë të interesuarit, të cilët për të qenë pjesëmarrës do të duhet të regjistrohen midis orës 08:00 dhe 08:45.

Prezantimet do të hapen me fjalën hyrëse të kryetarit të komunës, Përparim Rama, në ora 09:00 dhe pjesa e parë e konferencës do të vazhdojë deri në ora 13:00.

Konferenca do të vazhdojë në ora 14:00, me pjesën e mbetur të prezantimeve, në fund të të cilave kryetari Rama do të jetë i hapur për të pranuar pyetje nga gazetarët.

Mbyllet dorëzimi i projekteve për sheshin memorial “Adem Jashari”

Dhjetëra aplikantë të regjistruar kanë dorëzuar projektet e tyre në konkursin ndërkombëtar për ndërtimin e sheshit memorial në kujtim të sakrificës së familjes Jashari dhe komandantit Adem Jashari.

Afati i dorëzimit të projekteve ka qenë i hapur që prej datës 15 janar, kur edhe qe mbyllur regjistrimi i të gjithë të interesuarve.

Në këtë konkurs ndërkombëtar, të hapur në mars të këtij viti, përveç profesionistëve nga vendi nga vendi dhe rajoni, kanë aplikuar edhe një numër shumë i madh i profesionistëve dhe studiove të huaja.

Konkursi ka qenë i hapur për të gjithë artistët, piktorët, arkitektët, dizajnerët grafik, fotografët, artizanët, studentët dhe profesionistët.

Në thirrjen për aplikim është sqaruar se qëllimi është që sheshi ta ketë pjesë thelbësore monumentin e qëndresës, guximit dhe lavdisë së Adem Jasharit dhe familjes Jashari, si një prej themeleve të rëndësishme të lirisë së vendit.

Pra, monumenti synon të nderojë përkushtimin, guximin dhe sakrificën e palëkundur të Adem Jasharit dhe familjes së tij gjatë luftës së Kosovës për pavarësi dhe të shërbejë si një kujtesë e fuqishme për rolin e tyre kryesor në lëvizjen çlirimtare dhe përkushtimin e tyre ndaj kauzës.

Përzgjedhja preliminare e më të mirëve do të kryhet deri më datë 14 qershor, ndërkaq shpallja e fituesve të konkursit për sheshin monumental do të bëhet më 29 qershor.

E mërkura, dita e fundit për dorëzim të projekteve për sheshin memorial “Adem Jashari”

Pas mbylljes së fazës të aplikimeve në mesin e muajit prill, ka mbetur edhe një ditë për dorëzim të projekteve, nga ata që kanë plotësuar parakushtet, në konkursin ndërkombëtar për sheshin monumental në nderim të sakrificës së Adem Jasharit dhe familjes Jashari.

Konkursi ka qenë i hapur për të gjithë artistët, piktorët, arkitektët, dizajnerët grafik, fotografët, artizanët, studentët dhe profesionistët.

Në thirrjen për aplikim është sqaruar se qëllimi është që sheshi ta ketë pjesë thelbësore monumentin e qëndresës, guximit dhe lavdisë së Adem Jasharit dhe familjes Jashari, si një prej themeleve të rëndësishme të lirisë së vendit.

Pra, monumenti synon të nderojë përkushtimin, guximin dhe sakrificën e palëkundur të Adem Jasharit dhe familjes së tij gjatë luftës së Kosovës për pavarësi dhe të shërbejë si një kujtesë e fuqishme për rolin e tyre kryesor në lëvizjen çlirimtare dhe përkushtimin e tyre ndaj kauzës.

Përzgjedhja preliminare e më të mirëve do të kryhet deri më datë 14 qershor, ndërkaq shpallja e fituesve të konkursit për sheshin monumental do të bëhet më 29 qershor.

Qasje e re, për Prishtinën e së ardhmes

Trajektorja e transformimit urban është ndikuar nga një mori faktorësh që variojnë nga risitë teknologjike dhe ndryshimet ekonomike globale te dinamikat sociopolitike dhe konsideratat mjedisore. Brenda kësaj rrjete komplekse, një aspekt shfaqet veçanërisht i dallueshëm: nocioni i qytetit si një rrëfim.

Krijimi i këtij rrëfimi kërkon një ekuilibër të ndërlikuar midis njohjes së trashëgimive historike, përqafimit të realiteteve të ditëve të sotme dhe parashikimit të sfidave dhe mundësive të ardhshme.

Ndërsa linjat midis lokales dhe globales bëhen gjithnjë e më të paqarta në botën tonë të hiperndërlidhur, rrëfimet e qyteteve kanë potencialin të frymëzojnë shumë përtej kufijve të tyre gjeografikë. Këto rrëfime formësojnë perceptimet, ndikojnë në vendime dhe luajnë një rol kyç në pozicionimin e qyteteve në një rrafsh më të gjerë.

Prandaj, përpjekja që ndërmerret përmes këtij projekti, në thelb, lidhet me ndryshimin e paradigmës dhe kalon përtej dimensionit infrastrukturor, në njëlloj përtrirjeje socio-kulturore. Thënë ndryshe, riformësimi i Prishtinës, i nxjerrë nga kufizimet fizike, paralelizon një diskurs më të gjerë në çështjet urbane, atë të qyteteve si rrëfime.

Në një epokë që përvijohet nga globalizmi dhe lidhja dixhitale, rezonanca e rrëfimeve urbane është zgjeruar shumë. Rrjedhimisht, kapërcimi paradigmatik që mëton ta bëjë Prishtina, kalon rëndësinë lokale, duke marrë përmasa shumë më të gjera.

Rrjedhimisht, kjo lëvizje e Prishtinës në një trajektore të pakthim zhvillimi ravijëzon një temë të gjerë në çështjet urabne: qyteti si diçka e gjallë dhe në zhvillim, si dhe lë të dokumentuar bashkëdyzimin e zhvillimit urban dhe të rrëfimit për të.

Vendimet e marra nga pushtetet, mbështjellur me ekskluzivitet, e kanë shkëputur qytetin nga qytetari. Dhe kur qytetarët ndihen të shkëputur nga vendimet që ndikojnë në jetën e tyre të përditshme, qyteti pushon së qeni pasqyrim i aspiratave kolektive, dhe për pasojë kthehet në infrastrukturë jopersonale, pa gjallërinë dhe dinamizmin që, një qytet si Prishtina, me histori dhe kulturë të pasur, e ka. Përveç aspektit shpirtëror, kjo qasje e cenon edhe funksionalitetin, sepse pa konsultim gjithëpërfshirës, secili qytet e ka të vështirë t’i plotësojë nevojat e ndërlikuara dhe të shumëanshme të banorëve të tij. Në këtë kontekst, “Arkitekti i kryeqytetit” e njeh këtë problematikë dhe Prishtinën – diskutimin dhe punën për të – ta bëjë gjithëpërfshirëse. Pra, që qytetarët të mos jenë thjesht vëzhgues pasivë, por pjesëmarrës aktivë në transformimin e qytetit. Duke kërkuar në mënyrë aktive opinionet e tyre, duke vlerësuar kritikat e tyre dhe duke përfshirë komentet e tyre, ky projekt synon të krijojë një Prishtinë që vërtetë rezonon me njerëzit e saj.

Përfitimet e një qasjeje të tillë janë të shumëfishta. Përtej krijimit të një qyteti që është funksionalisht i përshtatur me nevojat e banorëve të tij, ai nxit një ndjenjë më të fortë të përkatësisë komunitare. Kur njerëzit e ndjejnë veten “hisedarë” në vendin ku jetojnë, ata jo vetëm që përshkohen nga një ndjenjë më të thellë përkatësie, por gjithashtu bëhen më të kujdesshëm në raport me të. Pra, kjo ndjenjë e përgjegjësisë kolektive mund të prodhojë një mori rezultatesh pozitive, që e ndikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë cilësinë e jetës. Në thelb, duke ia kthyer Prishtinën banorëve të saj, ne nuk jemi thjesht duke ridizajnuar hapësirat urbane, por po rigjejmë vetë frymën e qytetit.

Për një kohë të gjatë, kryeqyteti është përballur me një sërë sfidash urbane, të cilat e kanë lënë në hije potencialin e brendshëm. Problemet me trafikun, infrastruktura e dobët dhe jofunksionale, planifikimi i munguar urban, mungesa e hapësirave të gjelbra dhe rekreative, e kanë sforcuar shumë jetën, e cila luhatet midis shpresës dhe vështirësisë. Përtej tyre, vështirësitë sezonale, me ujin gjatë verës dhe ngrohjen gjatë dimrit, e bëjnë akoma më të nderë gjendjen. Në të njëjtën kohë, sheshet, hapësirat për fëmijë dhe mjediset arsimore, jashtë çdo standardi, e ngjyrosin gri të ardhmen e qytetit.

Megjithatë, ky shtresëzim problemesh nuk është thjesht numërim i dështimeve, por thirrje e qartë për veprim konkret. Dhe “Arkitekti i kryeqytetit” e kupton si përkushtim për shndërrimin e Prishtinës nga një qytet që ekziston në një qytet që jeton; në një qytet funksional, dhe që nuk është vetëm shumësi e ndërtesave të larta dhe rrugëve të asfaltuara, por një organizëm, secili aspekt i të cilit vepron në sinkron, në funksion të mirëqenies kolektive.

Transformimi i Prishtinës, përtej përtrirjes urbane, ka të bëjë edhe me ekzistencën e qytetit. Sepse pamundësia për t’u bërë qytet funksional do të thotë jo vetëm vendnumërim, por edhe bllokim. Mirëpo, vetë projekti, dhe shpirti prishtinas, në një përpjekje të përbashkët, janë garanci e një të ardhmeje më të mirë.

Prishtina ka nevojë për dëshirë dhe guxim kolektiv, për të menduar dhe ëndërruar një të ardhme më të mirë, në një qytet që u shërben dhe i plotëson nevojat e qytetarëve dhe për qytetari që kujdeset dhe e projekton të nesërmen aty. Të riimagjinosh Prishtinën do të thotë fillimisht të përqafosh rëndësinë e një ëndrre kaq të guximshme dhe të shikosh përtej sfidave. Kjo buron nga vetëdija kolektive se qyteti nuk është thjesht një hapësirë, por një qenie e gjallë, që evoluon me ëndrrat dhe aspiratat e banorëve të tij.

Megjithatë, vetëm të ëndërrosh nuk mjafton. Vizionet transformuese duhet të kombinohen me plane vepruese. Planifikimi urban, duke integruar si inovacionin ashtu edhe qëndrueshmërinë, qëndron në themel të këtij procesi. Rrugët dhe bulevardet që në fokus kanë këmbësorin, hapësirat e gjelbra, qendrat kulturore, dhe gjithçka tjetër, të projektuara me kujdes, kalojnë përtej nevojës për qytet funksional, në rrafshin emocional.

Për më tepër, këto ëndrra duhet të jenë gjithëpërfshirëse, të nxjerra nga vetë struktura e banorëve të Prishtinës. Platformat bashkëpunuese që përforcojnë zërin e çdo qytetari, nga të rinjtë entuziastë e deri te të moshuarit si kujtesë historike, janë të rëndësisë së veçantë. Sugjerimet, kritikat dhe komentet e tyre janë të paçmueshme në këtë rrugëtim. Ky rrugëtim transformues nuk paraqet thjesht një nismë për ndërrim të formës, por është në thelb i lidhur me përmbajtjen, në mënyrë që qyteti të bëhet funksional dhe i të gjithëve, njëherësh.

Sheshe, hapësira për këmbësorë dhe trafik i organizuar – disa nga efektet e ndërtimit të nënkalimit

Mbi 100 mijë makina hyjnë pothuaj çdo ditë në Prishtinë. Rreth 80 mijë të tjera janë makina të vetë prishtinasve. Rrjedhimisht, në një ditë të zakonshme, pothuaj 200 mijë makina ndodhen brenda kryeqendrës. Për pasojë, në kohë të pikut dhe në disa fyte të ngushta, trafiku rëndohet shumë.

Vetëm në nyjën e rrugëve “Agim Ramadani”, “Haxhi Zeka” dhe “Ibrahim Lutifu”, përskaj Xhamisë së Çarshisë, në një ditë të zakonshme kalojnë rreth 30 mijë makina. Në kohët e pikut, nëpër këtë nyjë kalojnë mbi 12 mijë makina. Pra, 40 për qind e trafikut ditor.

Këto shifra janë të mjaftueshme për të vënë në pah rëndësinë e zgjidhjes së problematikës së trafikut në këtë zonë. Sipas Planit të Mobilitetit të Qëndrueshëm Urban (PMQU), zhvillimi i një sistemi të integruar të transportit publik, që synon përmirësimin e qasjes në të gjithë qytetin dhe përmirësimin e lidhjes ndërmjet vendbanimeve të tjera urbane në partneritet me ofruesit e transportit publik, është zgjidhja e këtij problemi.

Projekti parasheh ndërtimin e nënkalimit ku do të bëhet zgjerimi i sheshit deri te Sahat Kulla, si dhe do të bëhet lidhja me sheshin ekzistues të njohur si Trekëndëshi. Ndërsa, automjetet do të qarkullojnë nën të.

Edhe sipas Planit Rregullues “Qendra 1” dhe , parashihet ndërtimi i një tuneli në këtë zonë, me qëllim të zgjerimit të shesheve qendrore të qytetit dhe lidhjes së tyre me zonën e vjetër historike.

Tuneli shtrihet në rrugën “Agim Ramadani”, kurse në drejtimin kah Gërmia, nuk do të jetë i mundur ndërtimi, për shkak të zonave të mbrojtura te Xhamia e Madhe dhe Akademia e Arteve. Për ta rregulluar qasjen në atë rrugë do të ofrohen alternativa që shkarkojnë ngarkesat e trafikut të cilat rëndoheshin në kryqëzimin me rrugën “Agim Ramadani”.

Tuneli parshihet të ketë tre shirita qarkullues, prej të cilëve njëri do të jetë vetëm për autobusë dhe dy të tjerët për automjete. Ai do të fillojë nga ndërtesa e Komunës së Prishtinës dhe deri tek ndërtesa e Teatrit Kombëtar, me gjatësi prej 240 metrash.

Kjo bën të mundur që sheshi qendror i Prishtinës do të shtrihet nga rrethi me flamur në Ulpianë, tek Sahat Kulla, në pjesën e vjetër të qytetit. Pra, më shumë hapësira të gjelbra dhe shtigje për këmbësorë. Projekti i nënkalimit ka kaluar në fazën e prokurimit. Dhe është pjesë e vizionit për Prishtinën e së ardhmes

Dhjetëra projekte janë dorëzuar deri tani në konkursin për sheshin monumental “Adem Jashari”

Dhjetëra projekte janë dorëzuar nga aplikantët dhjetë ditë para mbylljes së konkursit ndërkombëtar për sheshin monumental në nderim të sakrificës së Adem Jasharit dhe familjes Jashari.

Konkursi ka qenë i hapur për të gjithë artistët, piktorët, arkitektët, dizajnerët grafik, fotografët, artizanët, studentët dhe profesionistët.

Në thirrjen për aplikim është sqaruar se qëllimi është që sheshi ta ketë pjesë thelbësore monumentin e qëndresës, guximit dhe lavdisë së Adem Jasharit dhe familjes Jashari, si një prej themeleve të rëndësishme të lirisë së vendit.

Pra, monumenti synon të nderojë përkushtimin, guximin dhe sakrificën e palëkundur të Adem Jasharit dhe familjes së tij gjatë luftës së Kosovës për pavarësi dhe të shërbejë si një kujtesë e fuqishme për rolin e tyre kryesor në lëvizjen çlirimtare dhe përkushtimin e tyre ndaj kauzës.

Përzgjedhja preliminare e më të mirëve do të kryhet deri më datë 14 qershor, ndërkaq shpallja e fituesve të konkursit për sheshin monumental do të bëhet më 29 qershor.

01

04

LinkedIn

Twitter

Facebook

Instagram

admin@shak.archi

+383-44-111-222

Twitter

Adresa

SHËRBIMI I ARKITEKTIT TË KRYEQYTETIT

SHËRBIMI I ARKITEKTIT TË KRYEQYTETIT

Kontakti: