Prishtina 2030: Drejt të ardhmes, përmes Lojërave Mesdhetare

Lojërat Mesdhetare janë një festë e madhe e sportit dhe kulturës, që nxjerr në pah fuqinë përbashkuese të sportit, që prej antikitetit, teksa në rastin e Prishtinës, organizimi i tyre më 2030 e tejkalon këtë përkufizim, duke marrë trajtën e një tjetër arritjeje të lavdërueshme në zhvillimin urban dhe shoqëror. Përmes të qenit nikoqire e atyre lojërave, kryeqendra e Kosovës mëton që, përveç vënies së theksit tek mundësitë që ofron, të shndërrohet rrugës në një qytet modern, të zhvilluar ekonomikisht dhe të ndërlidhur e interesant për të huajt.

Përgatitjet për këto lojëra paraqesin një prej ndërmarrjeve më të mëdha në vend, në një sërë rrafshesh dhe shërbejnë si pikëpjekje midis ambicies, inovacionit dhe përkushtimit për qytetin e së ardhmes. Synimi i këtij projekti madhor është nxjerrja e Prishtinës në harën e qyteteve të rëndësishme botërore të sportit, me veçanti urbanistike dhe mikpritje të dallueshme. Në themele të këtij angazhimi është Fshati Olimpik, që do të ndërtohet jo thjesht si një hapësirë sportive dhe rezidenciale për sportistët, por si një kompleks që do t’i shërbejë komunitetit dhe gjeneratave të së ardhmes.

Prandaj, për këtë projekt kaq të rëndësishëm është qenësor parimi i qëndrueshmërisë, ashtu që të gjitha ndërtimet t’i plotësojnë kushtet më rigoroze mjedisore. Prej ndërtesave që mnimizojnë harxhimin e energjisë elektrike, tek sistemet e menaxhimit të mbetjeve që promovojnë riciklimin, çdo aspekt i Fshatit Olimpik është i menduar për ta ulur ndikimin në mjedis. Ndërthurja e hapësirave të gjelbra, parqeve publike dhe hapësirave tjera shoqëruese e vë akoma më tepër në pah synimin për të krijuar një hapësirë urbane të shëndetshme dhe plot jetë.

Një aspekt tjetër i rëndësishëm i këtij projekti është edhe ai ekonomik. Përmes projekteve të ndërtimit dhe punëve të tjera që ndërlidhen me to, stimulohet punësimi i banorëve të zonave përreth, gjë që në mënyrë të tërthorë injekton para në ekonominë e qytetit. Në anën tjetër, pas mbarimit të lojërave, një pjesë e hapësirave parashihet të adaptohen dhe riorganizohen për përdorim nga komuniteti, duke bërë të mundur që tërë ai kompleks të ketë shrytëzueshmëri dhe levërdishmëri në afat të gjatë kohor.

Në rrafshin arkitekturor, për ndërtimin e Fshatit Olimpik premisa të rëndësishme janë inovacioni dhe funksionaliteti, veçanërisht në ndërtimin e disa ngrehinave sportive të domosdoshme për zhvillimin e lojërave. Në zemër të projektit parashihet të vendoset stadiumi i futbollit, i cili përveç rolit qendror në hapjen dhe mbylljen e Lojërave Mesdhetare, pas mbarimit të tyre do të kthehet në arenën më të rëndësishme futbollistike të vendit.

Krahas stadiumit, një hapësirë shumë e munguar si ajo e sporteve ujore, me përmasa olimpike, do të mirëpresë garat e notit, zhytjes dhe water polo-s. Të pajisura me teknologjitë më moderne, ato hapësira do të ofrojnë kushte optimale për atletët dhe shikuesit. Me mbarimin e Lojërave Mesdhetare, këto hapësira do të mund të kalojnë në shërbim të komunitetit dhe të federatave përkatëse, për t’i dhënë një shtytje të re sporteve ujore.

Planet janë po ashtu për ndërtimin e një salle të sporteve me dorë, që do të ishte e përshtatshme edhe për gjimanstikë dhe atlektikë në hapësira të mbyllura. Pra, kjo hapësirë do të ishte shumë-përdorimëshe dhe lehtë e përshtatshme për një numër sportesh. Në këtë rast, fokusi do të vihet tek arkitektura modulare, në mënyrë që kjo hapësirë të mund t’i shërbejë në një numër mënyrash dhe për një kohë relativisht të gjatë infrastrukturës sportive të qytetit.

Po ashtu, parashihet ndërtimi i disa fushave të tenisit, me një fushë qendrore, që po ashtu do të mund të përdoret edhe për sporte të tjera si hendbolli, volejbolli dhe futbolli i vogël.

Meqë sportet luftarake janë ndër më të zhvilluarat në vend, me theks të veçantë xhudo, karate dhe boksi, parashihet ndërtimi i një salle të standardeve ndërkombëtare, me të gjitha hapësirat e nevojshme, ku jo vetëm do të zhvilloheshin garat për Lojërat Mesdhetare, por do të mund që pastaj të organizoheshin edhe gara të niveleve rajonale dhe madje europiane në këto sporte.

Hapësirat tjera administrative, komerciale dhe rezidenciale, që gjatë mbajtjes së garave do të jenë plotësisht në funksion të tyre, pas mbarimit do të jenë në shërbim të komunitetit dh etë vetë kampusit olimpik brenda të cilit ndodhen.

Në tërësinë e tij, Fshati Olimpik është një projekt madhështor, që tangon sferën eknomike, shoqërore dhe atë mjedisore. Qëllimi është që ky kampus të kthehet në një nga hapësirat më të rëndësishme sportive në rajon, që përveç për sportistët, krijon vlerë të shtuar për komunitetin përrreth dhe për vetë qytetin.

Masterplani i Qendrës Olimpike

Prishtina fitoi garën për organizimin e Lojërave Mesdhetare të vitit 2030 para tre muajsh. Një gamë e gjerë sportesh, në tërësi 24 sish, prej të cilave 21 i takojnë disiplinave olimpike dhe tre të tjera joolimpike, do të luhen në kuadër të tyre.

Në aplikacionin e paraqitur, përveç hapësirave ekzistuese, vendi ka marrë obligim që, për të garantuar mbarëvajtjen e lojërave në nivelin më të lartë, t’i ndërtojë të gjitha hapësirat të cilat nuk i plotësojnë kushtet apo që nuk ekzistojnë fare.

Më e rëndësishmja ndër to është Qendra Olimpike, siç e kemi quajtur në draft-propozimin e Masterplanit dhe e cila do të jetë e vendosur në Bërnicë. Është zgjedhur kjo hapësirë, për shkak të pozicionit të përshtatshëm gjeografik dhe afërsisë me kryeqytetin.

Kompleksi do të ndërtohet në 60 hektarë dhe përveç hapësirave sportive do t’i ketë të gjitha ambientet tjera shoqëruese, përfshirë hapësirat administrative, komerciale dhe një stacion të autobusëve.

Hapësira qendrore do të jetë e dedikuar për stadiumin e futbollit, që mëton të jetë një nga kryeveprat arkitekturore të qytetit. Përveç ngrehinës qendrore, e cila do të ndërtohet duke pasur në mendje zhvillimin teknologjik dhe që do të ketë 25 mijë ulëse, do të ketë edhe dy fusha tjera stërvitore, me bar natyral.

Afër stadiumit do të jetë kompleksi i pishinave olimpike, që do të ndërtohet në përputhje me kriteret më të larta ndërkombëtare, duke synuar që të kthehet në një nga ambientet më të rëndësishme në rajon për sporte ujore. Përgjatë Lojërave Mesdhetare 2030, ky kompleks i përbërë nga një pishinë e brendshme dhe dy pishina të jashtme do të jetë hapësira kryesore në të cilën do të zhvillohen garat e sporteve ujore.

Një prej sporteve më të rëndësishme, të cilit deri tani në vend i ka munguar infrastruktura, do të ketë kompleksin e tij brenda kësaj qendre. Për të përmbushur kërkesat e evenimentit do të ndërtohet një fushë qendrore, që natyrshëm do të jetë pika fokale e përballjeve në këtë sport dhe që do të ketë 2 mijë ulëse, si dhe gjashtë gusha të tjera, secila me nga 200 ulëse për tenis-dashësit. Përveç tenisit, fusha qëndrore ka parametra të atillë që mundëson luajtjen brenda saj edhe të ndeshjeve të hendbollit, volejbollit dhe futbollit të vogël.

Në anën tjetër të qendrës do të jetë e vendosur qendra e sporteve me dorë dhe ajo e sporteve luftarake. Hapësira qendrore e sporteve me dorë, ku do të luhen të gjitha ndeshjet në basketboll, hendboll dhe volejboll do të ketë kapacitet maksimal prej 3 mijë e 500 ulësesh dhe duke qenë e ndërtuar me standardet më të larta, hapësirat e saj do të jenë të përdorshme në variante të ndryshme.

Arena e sporteve luftarake, e vendosur në krah të asaj të sporteve me dorë, do të ketë kapacitet po për 3 mijë e 500 shikues dhe pas përfundimit të Lojërave Mesdhetare synohet të kthehet në qendrën e munguar të nivelit më të lartë, për të gjithë sportistët e këtyre disiplinave që ka vendi.

Atletika dhe disa sporte të tjera, përfshirë çiklizmin dhe 3×3 basketbollin, do të zhvillohen në fushat e hapura, të cilat kanë kapacitet maksimal prej 5 mijë ulësesh.

Përveç hapësirave sportive, kompleksi do të ketë edhe hapësirat administrative, për federata dhe Komitetin Olimpik të Kosovës, një parking të madh dykatësh nën tokë, stacionin e autobusëve dhe hapësira komerciale, përfshirë një qendër tregtare, hotelin, ku do të jetë e vendosur qendra e konferencave, si dhe pjesën akomoduese të Fshatit Olimpik.

I gjithë procesi marrjes së lejeve ndërtimore, në pëllëmbë të dorës

Përmes platformës e-Leja, Prishtina ka treguar përkushtimin ndaj transformimit digjital, duke e kthyer në një proces krejtësisht modern rrugëtimin e dikurshëm shumë sfidues nga aplikimi deri tek marrja e pëlqimit për kushte dhe leje ndërtimore. Kjo platformë inovative, e integruar pa probleme me sistemet e-Përcellja dhe e-Nënshkrimi, paraqet një kapërcim të rëndësishëm përpara në thjeshtimin maksimal të procesit të aplikimit për leje ndërtimi.

Prandaj, në këtë kontekst, e-Përcjellja nuk është thjesht një përparim teknologjik; është një ndryshim paradigme drejt një procesi administrativ më transparent, efikas dhe të afërt për çdonjërin.

Një prej elementëve më të rëndësishëm, për të mos thënë qenësor të e-Përcjellja mund të konsiderohet natyra e tij gjithëpërfshirëse. Kjo përfshin gjithë trajektoren e marrjes së lejeve të ndërtimit – nga aplikimi fillestar deri në miratimin përfundimtar. Për më tepër, rëndësi të veçantë ka edhe mundësia që ofron për t’u lejuar përdoruesve të shohin dhe ndjekin gjithë procesin dhe të gjithë dokumentacionin përkatës në kohë reale. Ky atribut bën të mundur që aplikantët janë gjithmonë të informuar rreth statusit të aplikimeve të tyre, duke ulur pasigurinë dhe duke rritur besimin në procesin administrativ.

Aspekt inovativ i të sistemit e-Përcjellja është qasja e tij e shtresëzuar, sepse është projektuar për të ofruar nivele të ndryshme të autorizimit, në varësi të rolit të përdoruesit në proces. Kjo do të thotë se ndërsa një aplikant mund të ndjekë progresin e aplikimit të tij, planifikuesit e qytetit, inxhinierët dhe ekipet ligjore kanë qasje në shtresa më të detajuara të informacionit të rëndësishëm për detyrat e tyre specifike. Ky qasje e ndarë ndaj qasjes së informacionit jo vetëm që rrit sigurinë, por gjithashtu siguron që çdo palë interesi të ketë informacionin që i nevojitet për të kryer detyrat me efikasitet.

Integrimi i e-Përcjellja me sistemet ekzistuese e-Leja dhe e-Nënshkrimi krijon një proces të rrjedhshëm, pa letra që redukton ndjeshëm kohët e përpunimit. Ky efikasitet nuk ndërlidhet vetëm me shpejtësinë, por edhe me saktësinë dhe transparencën që krijon. Duke digjitalizuar dhe duke ndjekur çdo hap, sistemi minimizon gabimet, redukton mundësinë për korrupsion dhe siguron një proces të drejtë për të gjithë aplikantët.

Menyja e Sistemit dhe Qasja tek Shërbimet: Sistemi e-Përcjellja ofron një gamë të gjerë të shërbimeve të qasshme përmes një menyje funksionale. Ky sistem mundëson një vështrim të përgjithshëm të aktiviteteve, duke përfshirë menaxhimin e rasteve, e-Përcjelljen e vendimmarrjes, dhe raportet periodike.

Krijimi dhe Menaxhimi i Kërkesave për Shërbime: Krijimi i kërkesave për shërbime bëhet në mënyrë efikase dhe të organizuar. Sistemi lejon përdoruesit të zgjedhin shërbime nga një listë e paracaktuar dhe të bashkëngjisin dokumente të nevojshme për secilën kërkesë. Kyçja në rolin e Menaxherit ofron më shumë kontroll në menaxhimin e kërkesave.

Procesi i Miratimit dhe Njoftimit: Miratimi i kërkesave nga Menaxheri dhe njoftimi i drejtorive përkatëse janë hapa kyçë që sigurojnë një rrjedhë të qartë të informacionit. Ky proces garanton se të gjitha palët janë të informuara dhe përfshira në vendimmarrje.

Përcjellja e Kërkesave dhe Vendimmarrja: Drejtorët dhe Menaxherët kanë qasje në të gjitha kërkesat dhe aplikimet që vijnë nga moduli e-Leja, duke i mundësuar atyre të shohin statusin e tyre dhe të marrin vendime të informuara.

Delegimi dhe Menaxhimi i Detyrave nga Kontrollorët: Kontrollorët kanë mundësinë të delegojnë detyra tek inxhinierët, duke menaxhuar statusin e tyre. Ky veprim siguron një rrjedhë të qartë të punës dhe përgjegjësive.

Raportimi dhe Menaxhimi i Detyrave nga Inxhinierët: Inxhinierët, si përdorues të sistemit, raportojnë për progresin dhe përfundimin e detyrave të deleguara, duke ofruar transparencë dhe efikasitet në realizimin e projekteve.

Prishtina është pioniere e kësaj qasjeje, duke qenë e para në vend që adopton një sistem kaq të avancuar. Sistemi e-Përcjellja është një dëshmi e angazhimit të qytetit për të përqafuar zgjidhjet digjitale për të përmirësuar shërbimet qeveritare. Ky kalim në një administrim të digjitalizuar është një hap i rëndësishëm drejt përmirësimit të lehtësisë së të bërit biznes, tërheqjes së më shumë investitorëve dhe nxitjes së një sektori më dinamik të pasurive të paluajtshme.

Kërkesat për dorëzim të koncept-dizajneve të kopshte-çerdheve

Afati për dorëzimin e koncept-dizjaneve për konkursin e hapur të çerdhe-kopshteve në lagjen Mati 1 dhe Kolovicë do të jetë i hapur deri më 6 mars 2024.

Shërbimi i Arkitektit të Kryeqytetit (SHAK) ka përcaktuar një listë të kërkesave dhe kritereve të cilat duhet të respektohen përgjatë këtij procesi.

  1. Të gjitha dokumentet e dorëzuara duhet të jenë në PDF ose JPG. Kopja në dokument origjinal do të kërkohet si dëshmi e punës.
  2. 2 x A3 faqe që përshkruajnë strategjitë e dizajnit, filozofitë dhe metodat e përdorura për të krijuar konceptin e propozuar (maksimumi 1,000 fjalë).
  3. Maksimumi 5 x A2 faqe që tregojnë organizimin e vendit, konfiguracionin e ndërtesës dhe konceptin e dizajnit duke përdorur plane, seksione, elevacione, detaje indikative dhe perspektiva.
  4. Një dokument A4 i jo më shumë se 20 faqe që shpjegon se si koncepti i propozuar përmbush kërkesat teknike, funksionale dhe të kërkesës.
  5. Pano ekspozimi – A1 – nëse konkurrenti është në listën finale dhe është një nga 10 e parët, projekti tij/saj do të shtypet dhe paraqitet në galerinë promovuese.
  6. Pjesëmarrësit duhet të dorëzojnë projektet e tyre në folderat e tyre të posaçme në Google Drive, me një limit maksimal të madhësisë së projektit prej 200 MB. Jemi duke krijuar folderat per secilin konkurues dhe adresat specifike do t’u dërgohen pjesëmarrësve sapo të jenë gati. Çdo projekt që tejkalon kufirin e madhësisë të specifikuar do të rezultojë në diskualifikim.

e-Nënshkrimi, i përdorshëm kudo

Nënshkrimi elektronik, i njohur ndryshe si e-nënshkrimi, përfaqëson përparim teknologjik që ka revolucionarizuar mënyrën se si ne validojmë dokumente dhe kontrata. Në epokën tonë digjitale, ku biznesi dhe komunikimi ndodhin gjithnjë e më shumë në distancë, e-nënshkrimi ofron një metodë të përshtatshme, të shpejtë dhe të sigurt për nënshkrimin e dokumenteve. Si i tillë ai eliminon nevojën për prani fizike, çka është veçanërisht thelbësore në një botë ku puna në distancë dhe bashkëpunimet globale po bëhen normë. Duke adoptuar e-nënshkrimin, organizatat mund të racionalizojnë operacionet e tyre, të reduktojnë përdorimin e letrës dhe të rrisin efikasitetin e tyre. Ky inovacion nuk është vetëm miqësor me mjedisin, por gjithashtu është në linjë me tendencën në rritje drejt transformimit digjital në sektorë të ndryshëm.

Një nga avantazhet kryesore të e-nënshkrimeve është vlefshmëria dhe siguria e tyre ligjore. Në shumë juridiksione, e-nënshkrimet kanë të njëjtin peshë ligjore si nënshkrimet tradicionale me dorë, me kusht që ato të përmbahen nga standarde dhe rregullore të caktuara, siç është Akti i Nënshkrimeve Elektronike në Tregti Globale dhe Kombëtare (ESIGN) në Shtetet e Bashkuara dhe Rregullorja e Identifikimit Elektronik, Autentifikimit dhe Shërbimeve të Besimit (eIDAS) në Bashkimin Evropian. Këto standarde sigurojnë që e-nënshkrimet të jenë të sigurta, autentike dhe të pamodifikuara. Për më tepër, platforma të e-nënshkrimeve shpesh përdorin teknologji të avancuara të kriptimit dhe ofrojnë gjurmë auditimi, të cilat rrisin sigurinë dhe gjurmueshmërinë e dokumenteve. Kjo është thelbësore në parandalimin e mashtrimit dhe ruajtjen e integritetit të dokumenteve të nënshkruara.

Implementimi i e-nënshkrimeve gjithashtu ul kohën e nevojshme për përpunimin e dokumenteve, duke mundësuar vendimmarrje më të shpejtë dhe përfundim më të shpejtë të marrëveshjeve. Nga perspektiva e përdoruesve, e-nënshkrimet ofrojnë një përvojë të lehtë dhe të përshtatshme. Përdoruesit mund të nënshkruajnë dokumente nga kudo, në çdo kohë, duke përdorur çdo pajisje, e cila rrit lehtësinë e përdorimit.

Në këtë kontekst, e-Nënshkrimi, i implementuar për Komunën e Prishtinës, është një shembull i shkëlqyeshëm i transformimit digjital. Ky sistem jo vetëm që ofron lehtësi dhe efikasitet në proceset administrative, por gjithashtu siguron një nivel të lartë të sigurisë dhe verifikimit të identitetit të përdoruesve.

e-Nënshkrimi është pjesë e një platforme më të gjerë, ku përfshihen edhe e-Leja, përmes së cilës aplikohet dhe merret aprovimi për kushte dhe leje ndërtimore, si dhe e-Përcjellja, që përdoret për të parë rrjedhën e gjithë procedurës, në kohë reale.

  1. Qasja në Platformën e eLejes: Platforma e eLejes ofron qasje të lehtë përmes internetit, duke i mundësuar përdoruesve të kyçen, të ndryshojnë fjalëkalimet e tyre, ose të regjistrohen për një llogari të re.
  2. Regjistrimi dhe Aplikimi për Nënshkrim Digjital: Procesi i regjistrimit përfshin plotësimin e të dhënave personale si Numri Personal, email, dhe adresa rezidenciale. Kjo është një masë sigurie për të garantuar verifikimin e përdoruesve dhe autenticitetin e komunikimit.
  3. Konfirmimi i Aplikimit dhe Tentimi për Kyçje: Pas regjistrimit, përdoruesit marrin një konfirmim përmes email-it për aktivizimin e llogarisë së tyre. Kyçja në një llogari të pakonfirmuar shfaq një mesazh përmbajtësor, duke i udhëzuar përdoruesit në hapat e nevojshëm për të vazhduar.
  4. Ngarkimi i Dokumenteve Identifikuese për Nënshkrim Digjital: Përdoruesit që aplikojnë për nënshkrim digjital duhet të ngarkojnë dokumente identifikuese si foto me letërnjoftim, për të siguruar identitetin e tyre.
  5. Procesi i Verifikimit dhe Miratimi i Nënshkrimit Digjital: Me suksesin e ngarkimit të dokumenteve, administratorët e platformës kryejnë një verifikim të thellë të identitetit në përputhje me rregullat e eIDAS. Ky proces përfshin edhe komunikim të drejtpërdrejtë me aplikantin nëse është e nevojshme.
  6. Krijimi dhe Shkarkimi i Nënshkrimit Digjital: Pas verifikimit, certifikatat e nënshkrimit digjital dhe identitetit digjital krijohen dhe janë të disponueshme për shkarkim. Këto certifikata mund të përdoren për një gamë të gjerë qëllimesh, duke i dhënë përdoruesit fleksibilitet dhe siguri në transaksionet e tyre digjitale.

e-Nënshkrimi ofron një zgjidhje të plotë dhe të sigurt për nevojat digjitale të sotme, duke u bërë një mjet jetik për integrimin në një shoqëri që po bëhet gjithnjë e më digjitale. Ky sistem shërben si një urë lidhëse midis teknologjisë dhe përdoruesve, duke garantuar një proces të besueshëm dhe të sigurt të nënshkrimit dhe duke reflektuar trendet e reja të sigurisë digjitale dhe të qeverisjes elektronike.

Mbyllet aplikimi për konkurset e çerdhe-kopshteve

Një numër i konsiderueshëm aplikantësh, të huaj dhe vendorë, kanë konkurruar në konkursin ndërkombëtar të hapur nga Shërbimi i Arkitektit të Kryeqytetit për koncept-dizajn të çerdhe-kopshteve në lagjen Mati 1 dhe Kolovicë.

Në periudhën e hapur të aplikimit që ka zgjatur nga data 20 dhjetor e vitit të shkuar deri më 17 janar, interesimi për regjistrim ka dalë përtej pritjeve fillestare, veçanërisht për faktin që një pjesë e konsiderueshme e aplikantëve kanë qenë të huaj.

Pas periudhës së regjistrimit, për të gjithë ata që janë bërë pjesë e konkurseve, kohëzgjatja e dorëzimit të punimeve, sipas kritereve të përcaktuara në shpallje të konkurseve, do të zgjasë deri më datë 6 mars.

Vlerësimi i aplikimeve do të bëhet nga juria profesionale e përbërë nga përfaqësuesi i Asociacionit të Arkitektëve të Kosovës, arkitekti Ardit Jadrashi, përfaqësuesi i Komunës së Prishtinës, arkitekti Gëzim Kastrati dhe një anëtar tjetër i pavarur, i cili do të shpallet së shpejti.

Për çerdhe-kopshtin në lagjen Mati 1, vlera e përgjithshme e shpërbilmeve 12 mijë e 200 euro, prej të cilave 7 mijë euro i takojnë vendit të parë, 5 mijë vendit të dytë dhe 1 mijë e 700 euro vendit të tretë. Ndërkaq, për çerdhe-kopshtin në lagjen Kolovicë, vendi i parë do të shpërblehet me 6 mijë euro, i dyti me 3 mijë dhe i treti me 1 mijë e 500 euro. Pra, tërësia e shpërblimeve do të jetë 10 mijë e 500 euro.

Rama prezanton projektin për sheshin “Xhorxh Bush”: Prishtinën po ia kthejmë qytetarit

Sheshi i ri do t’ia mundësojë qytetit të marrë frymë dhe qyetetarët do t’i bëjë të marrin pjesë më aktivisht në jetën e qytetit, ka thënë në prezantimin e projektit për sheshin “Xhorxh Bush”, kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama.

Propozimi i ri për sheshin “Xhorxh Bush” i ka disa karakteristika kyçe, më kryesorja ndër të cilat, sipas Ramës është që ai konceptohet i ndërlidhur me hapësirat tjera publike. “Nuk është një dizajn linear i hapësirës, por ndërlidhet me hapësirat përreth: Bibliotekën Kombëtare, Universitetin e Prishtinës, Katedralen dhe deri tek Hoteli Grand”, tha para gazetarëve ai.

Në konferencën për media, të thirrur për këtë qëllim, Rama theksin e ka vënë tek nevoja, siç e ka quajtur ai, që ajo hapësirë të shndërrohet në një hapësirë urbane bashkëkohore duke reflektuar nevojat e qytetarëve dhe promovuar një stil të jetës së shëndetshme, më shumë gjelbërim e ajër të pastër.

Sipas kryetarit Rama, duke qenë i tillë, projekti do të jetë një shembull i zhvillimit të qëndrueshëm, pasi që, me materiale të qëndrueshme e gjelbërim, sheshi do të mundësojë Prishtinës të merr frymë dhe do të stimulojë njerëzit të marrin pjesë më aktivisht në jetën e qytetit.

Një ndër fokuset e këtij transformimi do të jetë edhe krijimi i dinamikës dhe funksioneve tjera joekzistuese në atë zonë, duke ruajtur qasjen e lehtë për të gjithë. Projekti për Transformimin e Bulevardit “Xhorxh Bush”, synon të rivlerësojë trashëgiminë arkitektonike të Prishtinës duke bërë protagonistë të projektit Hotelin Grand, ndërtesën e RTK, Bibliotekën Universitare “Pjetër Bogdani” dhe Katedralen “Nënë Tereza”, ndërtesa të cilat shihen si përbërësit kryesorë të skenografisë urbane në këtë ndërhyrje.

Ndër të tjera, Rama ka potencuar se projekti riformulimin e kufirit të një hapësire të sigurt për këmbësorë ku lidhen së bashku zona universitare dhe parku qendror, me Sheshin “Nënë Tereza”, përmes sistemit të ri të që do të realizohen në rrugën “Xhorxh Bush”, prej Katedrales e deri tek Hoteli Grand. “Janë pikërisht këto sheshe, që si zgjatim i Bulevardit, krijojnë një portë hyrjeje për në park në zonën universitare. Bulevardi i Kryeqytetit do të jetë një paradhomë e zonës universitare dhe njëkohësisht holli kryesor i jetës publike të kryeqytetit”.

“Pjesa prej Radio Kosova deri tek Grand do të plotësohet me elemente shtesë, të cilat krijojnë funksione të reja, në mënyrë që të rritet fluksi i qytetarëve në atë hapësirë. Ideja është që këto sheshe të jenë të qasshme dhe të sigurta për çdo moshë, prej fëmijëve deri tek pleqtë”.

Duke folur për zgjerimin e sheshit deri te Xhamia e Madhe, Rama tha se në këtë pjesë do të ketë një parking nëntokësor. “Ne këtë invervenim në sheshin “Xhorxh Bush” e kemi bërë pas hapjes së parkingut nëntokësor. Ideja jonë është që kjo të zgjatet edhe deri tek Xhamia e Madhe, ku do të ketë një tjetër parking të madh nëntokësor, si dhe tek rrethi me flamur, ku do të ketë edhe një treg të gjelbër. Kjo do ta krijojë transformimin total të një bulevardi 2.6 kilometërsh, që do t’i ndërlidhë dhjetë lagjet e mëdha të kryeqytetit. Pra, mbi 75% e qytetarëve do të kenë qasje në të”.

 

 

Hapen dy konkurse për koncept-dizajn të çerdhe-kopshteve

Kryetari i Prishtinës Përparim Rama, ka njoftuar se Shërbimi i Arkitektit të Kryeqytetit ka hapur dy konkurse ndërkombëtare për koncept-dizajn të çerdhe-kopshteve në lagjen Kolovicë dhe Mati 1.

Konkurset janë në formën e një gare dizajni, me një fazë, si forma më tipike e konkurseve për dizajne arkitekturore, ndërsa fituesit do të shpërblehen me mijëra euro, shkruan Klan Kosova.

Aplikimi do të jetë i hapur për të gjithë dhe çdo kandidat do të ketë të dorëzojë numër të pakufizuar dizajnësh. Çdo krijim i tij duhet të jetë origjinal dhe veçanërisht i konceptuar për këtë konkurs.

Për çerdhe-kopshtin në lagjen Mati 1, vlera e përgjithshme e shpërblimeve 12 mijë e 200 euro, prej të cilave 7 mijë euro i takojnë vendit të parë, 5 mijë vendit të dytë dhe 1 mijë e 700 euro vendit të tretë.

Ndërkaq, për çerdhe-kopshtin në lagjen Kolovicë, vendi i parë do të shpërblehet me 6 mijë euro, i dyti me 3 mijë dhe i treti me 1 mijë e 500 euro. Pra, tërësia e shpërblimeve do të jetë 10 mijë e 500 euro.

“Regjistrimi për t’u bërë pjesë e konkursit do të jetë i hapur deri më datë 17 janar 2024. Dorëzimi i aplikimeve do të pasohet nga vlerësimi i jurisë, prezantimi i punëve, pra i koncept-dizajnëve dhe më 31 mars do të bëhet shpallja e rezultateve, gjegjësisht fituesve të këtyre konkurseve”, shkroi kreu i kryeqytetit.

“Vlerësimi i aplikimeve do të bëhet nga juria profesionale e përbërë nga përfaqësuesi i Asociacionit të Arkitektëve të Kosovës, arkitekti Ardit Jadrashi, përfaqësuesi i Komunës së Prishtinës, arkitekti Gëzim Kastrati dhe Akademik Anton Berishaj”, shtoi ai në Facebook.

Prishtina digjitalizon aplikimin për kushte dhe leje ndërtimore

Pako e shërbimeve në ueb, “e-Leja, e-Nënshkrimi, e-Përcjellja”, e vënë plotësisht në funksion dhe e hapur për përdorim të përgjithshëm gjatë janarit të këtij viti, e kthen në proces krejtësisht digjital të gjithë fazën e aplikimit për kushte dhe lejë ndërtimore në Komunën e Prishtinës.

Përmes këtyre shërbimeve arrihet që, nga fillmi dhe deri në fund, i tërë zinxhiri i aplikimit, vlerësimit dhe marrjes së kushteve dhe lejeve ndërtimore të realizohet me lehtësi dhe garanci maksimale, si në rrafshin kohor, në atë profesional dhe, duke qenë plotësisht transparent, rrit besueshmërinë në vërtetësinë e rezultateve që dalin në fund.

Platfroma funksionon në atë mënyrë që softuerët komunikojnë me njëri-tjetrin, në tërësinë e fazave të procesit. “e-Leja” mundëson aplikimin për kushte dhe leje ndërtimore. Mirëpo, për t’u kompletuar si i tillë, duhet që të vendoset apo krijohet nënshkrimi digjital, përmes softuerit “e-Nënshkrimi”. Dhe për ta përcjellë çdo fazë, përparimin dhe vlerësimin, “e-Përcjellja” mbledh dhe ofron të gjitha informacionet e nevojshme.

Brenda një viti në Prishtinë, për kushte dhe leje ndërtimore ka pasur rreth 400 aplikime. Miliona metra katrorë. Dhe vetëm shtatë zyrtarë për t’i kontrolluar.

Problematika e shkaktuar ka qenë e rëndë, për komunarët dhe për arkitektët.

“Një problematikë që, mua personalisht, më ka shkaktuar shumë probleme, ka qenë ajo e planeve ekzistuese të cilat, ne si drejtori i implementojmë, dhe në bazë tyre jepet leje ndërtimore”, thotë Arbër Sadiki, drejtor i Urbanizmit, i cili shton që një pjesë jo e vogël prej tyre “kanë qenë pa ndërlidhshmëri mes vete, nuk ka ekzistuar mundësia që t’i shohësh dhe t’i kesh gjërat, si të thuash, më të qarta dhe më nën kontroll”.

Këtë e ka bërë më të rëndë, sqaron ai, fakti që numri i punëtorëve ka qenë jashtëzakonisht i vogël, për të mos thënë papërfillshëm, karshi dinamikës shumë të madhe të ndërtimit.

Që mënyra e vjetër kishte probleme të mëdha, qoftë për shkak të radhëve të gjata që krijoheshin në sportelet e komunës, numrit të madh të dokumentave që kërkoheshin si kopje të forta dhe në formatin digjital, dhe që nuk kuptohej pse kur e për çfarë duheshin në njërin dhe kujt i duheshin në tjetrin, e thonë edhe arkitektët Arbër Shala e Alban Krasniqi.

“I kam numëruar dhe kanë qenë 25 libra minimumi, deri në 28 libra, që i kemi dorëzuar në Urbanizëm. Po ju them sinqerisht, nëse e vizualizoj pak, unë them nje karrocë me letra, një gjysmë kerri dhe madje më shumë”, thotë arkitekti Shala, teksa mundohet ta sqarojë burokracinë me të cilën janë përballur.

Të tillë e kishte gjetur gjendjen kur qe betuar si kryetar, Përparim Rama. I rritur profesionalisht në vende që, kohë më parë, i kanë lënë prapa dëngjet me letra, ai do ta kthente në një prej qëllimeve që do t’ia udhëheqnin punën, shndërrimin e këtij procesi në digjital.

“Kam menduar që është me rëndësi të madhe të digjitalizohet”, thotë ai, duke shtuar që nuk e kuptonte pse një punë që mund të kryhej dhe të zgjidhte shumë probleme, ishte kthyer vetë në një prej më të mëdhave telashe të adminstratës komunale.

“Është një gjë e nevojshme dhe e mundshme që, në të njëjtën kohë, heq shumë burokraci të panevojshme”, kujton ai, të ketë qenë një prej fjalive që e kishte përsëritur më shpesh, kur po bëheshin planet për të nisur puna në realizimin e projektit.

Tani, muaj pas, platforma është gati.

“Është një procedurë ku, çdo hap, përmes aplikimit digjital, lë shenjë, lë gjurmë, ka afate të caktuara dhe kur ato kalohen mbyllet mundësia e vazhdimisht të aplikimit. Nuk ka askush nevojë të endet nëpër korridore dhe të flasë me zyrtarë, shefa, drejtorë”. Kështu flet drejtori Sadiki, duke treguar lehtësirat që u krijohen të gjithë atyre që nga 1 janari i 2024-ës aplikojnë për kushte dhe leje ndërtimore.

Përveç aplikimit për leje, platforma do të jetë njëlloj portali, që u ofron mundësi ta kontrollojnë punën e Drejtorisë së Urbanizmit. “Portali për qytetarë është portal publik, i cili ua mundëson qytetarëve që t’i shohin gjitha vendimet, për lejet të cilat janë aprovuar apo çdo vendim tjetër që është nxjerrë”, shpjegon Edin Verbiqi, kryeprogramer i kompanisë që e ka ndërtuar platformën.

Madje edhe procesi i vlerësimit të aplikimeve për kushte dhe leje ndërtimore do të jetë shumë më transparent. Për këtë qëllim është krijuar ajo që kryetari Rama e quan “pool of professionals” dhe që është një tërësi profesionistësh të cilët do t’i vlerësojnë projektet, pa e ditur njëri për tjetrin. Një projekt në të shumtën e rasteve do të vlerësohet nga tre të tillë. “Nëse të tre i japin notë kaluese, projekti ecën përpara, siç ndodh edhe nëse nota kaluese janë dy. Por, nëse është e kundërta dhe ka vetëm një apo asnjë notë kaluese, atëherë projekti kthehet mbrapsht”, sqaron Rama.

Formën më korrekte të mundshme, e quan këtë arkitekti Krasniqi. Kolegu i tij Shala, ndërkaq, ka një epitet tjetër. Të mrekullueshëm e cilëson projektin i cili thotë se do t’ia mundësojë që të gjitha punët, për të cilat humbte dhjetëra ditë e qindra orë pune, të mund t’i kryejë nga zyra.

Kjo platformë është shumë e rëndësishme dhe ndonëse pjesë e madhe, mbetet njëra nga shumë të tilla që e kompletojnë infrastrukturën digjitale. Në nivelin lokal ky mbetet hapi i parë, që do të vazhdojë në kadastër, planifikim dhe drejtori tjera. “Do të ishte mirë të lidhet edhe me nivelin qendror”, nënvizon drejtori Sadiki.

Ëndrra e kryetarit Përparim Rama është akoma më e madhe. “Vizioni për qytetin është që ta kthejmë në ‘smart city’, pra në qytet të mençur”, thekson ai. Edhe kur mbaron mesazhet politike dhe ato që lidhen me punët që janë kryer, po kryhen apo do të kryhen, që synon kthimin e Prishtinës në qytet tërësisht digjital, e përsërit vazhdimisht.

Udha drejt Prishtinës digjitale është çelur e po ndërtohet. Dhe një nga stacionet e rëndësishme është “e-Leja”.

Pushton ballinat sportive draft-propozimi për Masterplanin e Qendrës Olimpike

Nxjerrja në publik e draft-propozimit për Masterplanin e Qendrës Olimpike, që do të shërbejë si nyja kryesore e Lojërave Mesdhetare 2030 është përcjellë me interesim të madh nga mediat mbarëshqiptare.

Pas publikimit, kjo pamje në të ardhmen e sportit kosovar, ka pushtuar ballinat sportive të mediave më të rëndësishme online, në Kosovë dhe Shqipëri. Telegrafi, Gazeta Express, Klan Kosova, Albanian Post, Gazeta Tema, Lapsi.al, Dukagjini dhe Gazeta Blic, janë vetëm disa prej institucioneve të rëndësishme mediale të cilat i kanë dhënë rëndësi të veçantë publikimit të këtij draft-propozimi.

Duke vënë theksin tek rëndësia e madhe që ka organizimi i mirëfilltë i një ngjarjeje të tillë, gjë ntë të cilën infrastruktura ka rol të pazëvendësueshëm, një numër i konsiderueshëm prej tyre kanë trajtuar me kujdes hapat e rëndësishë që po ndërmirren në drejtim të garantimit të arritjes së objektivave të vendosura.

Prishtina fitoi garën për organizimin e Lojërave Mesdhetare të vitit 2030 para tre muajsh. Një gamë e gjerë sportesh, në tërësi 24 sish, prej të cilave 21 i takojnë disiplinave olimpike dhe tre të tjera joolimpike, do të luhen në kuadër të tyre.

Në aplikacionin e paraqitur, përveç hapësirave ekzistuese, vendi ka marrë obligim që, për të garantuar mbarëvajtjen e lojërave në nivelin më të lartë, t’i ndërtojë të gjitha hapësirat të cilat nuk i plotësojnë kushtet apo që nuk ekzistojnë fare.

Më e rëndësishmja ndër to është Qendra Olimpike, siç e kemi quajtur në draft-propozimin e Masterplanit dhe e cila do të jetë e vendosur në Bërnicë. Është zgjedhur kjo hapësirë, për shkak të pozicionit të përshtatshëm gjeografik dhe afërsisë me kryeqytetin.

01

04

LinkedIn

Twitter

Facebook

Instagram

admin@shak.archi

+383-44-111-222

Twitter

Adresa

SHËRBIMI I ARKITEKTIT TË KRYEQYTETIT

SHËRBIMI I ARKITEKTIT TË KRYEQYTETIT

Kontakti: